TIRANË- Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi sot masën e sigurisë “arrest me burg” për deputetin Mark Frroku, arrestuar një ditë më parë pas kërkesës së shtetit belg që e akuzon për vrasje në vitin 1999. Dhënia e masës ndaj tij, përkoi me vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për vëllain e tij, Arben Frroku, i cili i shpëtoi sot akuzës “burg të përjetshëm”. Në një kohë që deputeti do shkojë në burg, vëllai i tij shpallet i pafajshëm.

Seanca zgjati rreth 4 orë, ndërsa trupi gjykues i përbërë nga pesë gjyqtarë, relator Artan Broci dhe anëtarët Ardian Nuni, Edmond Islamaj, Guxim Zenelaj dhe Tom Ndreca, pranoi kërkesën e prokurorisë për të ndryshuar masën e sigurisë nga “Arrest shtëpie” në “Arrest me burg”.

Mark Frroku ka dalë me pranga në duar nga Gjykata rreth orës 16:35, ndërsa ka komentuar shkurt se është i pastër para Zotit. “Para Zotit dhe në ndërgjegjen time jam shumë i pastër. Nuk kam bërë asnjë krim”.

Deputeti Kristian Demokrat ka mbi supe tashmë disa akuza. Hetuesia shqiptare po heton deputetin Frroku për “kallëzim të rremë”, lidhur me çështjen “Doshi”, teska nga dita e djeshme janë shtuar dhe 4 vepra të tjera penale të “Refuzim për deklarim pasurie”, “Deklarim i rremë pasurie”, “Fshehje pasurie” si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.

AVOKATËT: DO TA COJMË CËSHTJEN NË KUSHTETUESE
Avokatët e Frrokut, Genc Gjokutaj dhe Saimir Visha deklaruan se janë të befasuar për vendimin e dhënë sot nga Gjykata e Lartë, ndërsa shtuan se do ta çojnë çështjen në Kushtetuese. Sipas tyre, Prokuroria nuk kishte asnjë provë.
“Vendimi ishte në kundërshtim me të gjitha provat. Nuk kishte asnjë akt apo provë. Jemi të befasuar, do ndjekim shkallët e tjera” -tha Gjokutaj. “Çështjen do ta çojmë në Kushtetuese”, deklaroi avokati Visha.

Ora 16:00- Gjykata e Lartë lë në burg deputetin Mark Frroku, për akuzat e vrasjes në Belgjike

Ora 14:00- Trupi gjykues që do të vendosë për masën e sigurisë për deputetin Frroku është tërhequr për të marrë një vendim, pas një seance që ka zgjatur rreth dy orë.

Ora 12:28- Deputeti Mark Frroku ka mbërritur në Gjykatën e Lartë ku do të zhvillohet seanca për caktimin e masës së sigurisë. Frroku ka hyrë i prangosur në Gjykatë, ndërsa shoqërohej nga efektivë policisë. Ndërkaq seanca ka vijuar me dyer të mbyllura.

Prokuroria e Përgjithshme kërkoi arrestimin e Mark Frrokut, i cili u akuzua fillimisht për një vrasje në vitin 1999 në Belgjikë. Por më pas Prokuroria njoftoi se ndaj tij janë ngritur edhe dy akuza të reja. Bëhet fjalë për akuzën e pastrimit të produkteve të veprës penale, pasi dyshohet se deputeti Frroku disponon pasuri të shumta, të cilat i ka vënë nëpërmjet aktiviteteve të paligjshme.
“Pra, fakti që akuzohet për vrasje për shkak të konflikteve në rrjetin e prostitucionit, aktivitet nga i cili dyshohet se ka krijuar të ardhura të mëdha, dyshohet se ka krijuar pasuri të paligjshme, për të cilat nuk justifikon burimin e pasurisë”, tha një zyrtar i prokurorisë.

Akuza e dytë e re, është ajo e “fshehjes dhe refuzimit për të deklaruar pasuritë”.  Prokuroria sqaron se më 30 mars 2015, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ka bërë një kallëzim ndaj tij, pasi kristiandemokrati Frroku ka refuzuar të jepte shpjegime për burimin e pasurive të tij.

Mësohet se pasuritë e deklaruara nga Frroku janë të shumta, çka ngrenë dyshime të forta se janë vënë nëpërmjet veprimtarive të paligjshme.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: