TIRANE – Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e kristiandemokratit Mark Frroku për mbylljen e hetimeve, duke lënë në fuqi vendimin për zgjatjen e hetimit deri në 28 dhjetor të këtij viti. Pas seancës, Mark Frroku tha se arrestimi i tij është politik, ndërsa akuzoi kryeprokurorin Llalla se ka qëllim burgosjen e tij.

“Arrestimi im është i paligjshëm, është arrestim politik. Po më shkatërrojnë familjen dhe biznesin. Kryeprokurori ka qëllim burgosjen time. Do provoj që jam i pafajshëm për akuzat.”- deklaroi Frroku.

Hetimi për Frrokun
Për të njëjtën akuzë që po gjykohet në Belgjikë, atë të vrasjes së Aleksandër Kurtit, në 1999 në një stacion treni në Bruksel, Mark Frroku po mbahet nën arrest në Shqipëri dhe po hetohet nga Prokuroria e Përgjithshme.

Kristiandemokrati, i cili në dosjen belge rezulton të ketë disa emra, ka dhënë pëlqimin për të udhëtuar drejt Belgjikës dhe për të qenë i pranishëm në seancën që do të zhvillohet më datë 19 tetor 2015, në Gjykatën për Krime të Rënda në Bruksel, por ende nuk dihet sesi do të veprohet, pasi belgët nuk kanë sjellë kërkesë zyrtare.

Ndërkaq, Mark Frroku po hetohet edhe për dy akuza të tjera, atë të pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Ligjvënësi u kallëzua nga ILDKP-ja, pak ditë pasi kishte përfunduar në pranga. Por, përpos faktit se mbi supe i rëndojnë akuza tejet të rënda Frroku nuk pranon të jetë i përfshirë në vrasjen e Kurtit dhe as të ketë kryer ndonjë vepër tjetër.

Ndërkaq, zyrtarisht është marrë i pandehur për kallëzim të rremë, për çështjen Doshi.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: