TIRANE- Pezullohet gjykimi për çështjen e shumëpërfolur “Doshi”. Gjykata e Lartë vendosi ta kalojë atë për interpretim në gjykatën Kushtetuese. Shkak u bë pozita e dy të pandehurve, ish-deputetit Mark Frroku dhe Durim Bami, të dy qytetarë të thjeshtë.
Kolegji penal i kryesuar nga Ardian Nuni kërkoi mendim nga palët në proces nëse ka papajtueshmëri të Kodit të Procedurës Penale me Kushtetutën, që dy të pandehurit Frroku e Bami, të gjykohen në gjykatën e Lartë, bashkë me deputetin Tom Doshi, pasi në këtë mënyrë do tu mohohej e drejta për të apeluar vendimin.
Prokuroria ishte e mendimit se tre të pandehurit, duhet të gjykohen së bashku për shkak se procedimi është i lidhur dhe ndarja do ta dëmtonte rëndë çështjen, pasi veprën penale e kanë kryer në bashkëpunim.
Avokatët mbrojtës, kërkuan ndarjen e çështjes, duke theksuar se gjykimi i Mark Frrokut e Durim Bamit në gjykatën e Lartë, iu mohon të drejtën e apelimit, e drejtë e sanksionuar në Kushtetutë.
Ndodhur përballë dy qëndrimeve tërësisht të kundërta, gjykata vendosi ti kërkojë mendim Gjykatës Kushtetuese.
Në këto kushte, për momentin gjykimi ndaj Tom Doshit, Mark Frrokut dhe Durim Bamit në gjykatën e Lartë ndërpritet.
Tre të pandehurit akuzohen për kallëzim të rremë në bashkëpunim lidhur me akuzat e deputetit të Shkodrës Tom Doshi, i cili tha se kishte zbuluar një komplot për vrasjen e tij dhe të deputetit demokrat Mhill Fufi. Ai akuzoi si urdhërues të krimit, kreun e Kuvendit Ilir Meta. Për të vërtetuar këto akuza, Doshi publikoi një video ku Durim Bami shfaqej duke rrëfyer planin e vrasjes.
Ndonëse Doshi këmbëngul se pati komplot, prokuroria e akuzon atë se në bashkëpunim me Frrokun e Bamin e fabrikuan videon me qëllim fillimin e paligjshëm të ndjekjes penale ndaj kryeparlamentarit.
(el.sp/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb