Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve që po kryen për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetajn, ka vendosur nën sekuestro një vilë, e cila ndodhet në një kompleks rezidencial në Palasë, vilë e cila rezulton në pronësi të bashkëjetueses së Ahmetajt, Erjola Hoxha.

Ditën e sotme, Hoxha ka apeluar vendimin duke pretenduar se ende nuk është marrë asnjë vendim në lidhje me fajësinë e ish zëvendëskryeministrit, e për pasojë është shkelur parimi i prezumimit të pafajësisë.

Në kërkesën për apelimin e vendimit, thuhet se si pasojë e një vendimi të tillë, zonja Hoxha dhe fëmija i saj 2-vjeçar janë detyruar të largohen nga banesa, ndërsa janë sekuestruar edhe sendet e luajtshme që ndodheshin në vilë.

“Ky vendim është i pambështetur në prova dhe në ligj, kurse ekzekutimi i tij në tejkalim të disponimit të Gjykatës së Posaçme. Për këtë arsye, e apelojmë atë, duke parashtruar sa vijon:

1. Paligjshmëria e vendimit të caktimit të masës së sigurimit “sekuestro preventive”, për shkak të mungesës së shkaqeve të ligjshme për vendosjen e saj.

Për vendosjen e masës së sigurimit pasuror të sekuestros preventive mbi një send, ligji procedural penal (neni 274 i KPP) kërkon që të plotësohen disa kritere:

(i) Duhet të ekzistojë një dyshim, i mbështetur në prova, se është kryer një vepër penale e caktuar;

(ii) Duhet të provohet lidhja e sendit për të cilin kërkohet të vendoset masa e sigurimit pasuror me veprën penale prej së cilës besohet se ai ka rrjedhur:

(iii) Duhet të ekzistojë rreziku që disponimi i lirë i sendit që lidhet me veprën penale, mund të rëndojë apo të zgjatë pasojat e veprës ose të lehtësojë kryerjen e veprave penale të tjera.

Asnjëri nga kriteret e sipërcituara nuk përmbushet në rastin e sekuestros preventive të vendosur ndaj pasurisë së znj. Erjola Hoxha….

… Burimet financiare të znj. Hoxha për të blerë këtë pasuri janë tërësisht të mjaftueshme dhe transparente: 130.000 euro ajo i ka përfituar si dhuratë nga prindërit e saj (këta ta fundit i kanë siguruar nga shitja e një apartamenti, po në atë zonë, në favor të blerësve Ollga dhe Artan Gjokaj (kontrata e shitjes nr. 874 rep. 353 kol, datë 17.2.2022 dhe deklarata e dhurimit, bashkëlidhur)”, thuhet mes të tjerash në ankimim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb