Iraniani Mohammed Zand shpërtheu në lot kur doli nga gjykata e Durrësit ku dha dëshminë para gjykatësve suedeze këtë të mërkurë.
Dhjetëra muxhahedinë pritën me duartrokitje jashtë gjykatës një ndër dëshmitarët kyç të masakrës së vitit 1988 në Iran ku 30.000 të burgosur politikë, 90% e të cilëve muxhahedinë u ekzekutuan me dekret të liderit suprem Khomeini.

Një gjykatë suedeze iu ka krijuar mundësinë paditësve muxhahedinë të dëshmojnë në Shqipëri kundër njërit prej përgjegjësve për genocidin që ndodhi në Iran, agjentit iranian Hamid Nouri asokohe ndihmës prokuror. Nouri u arrestua në Suedi, me të mbërritur aty 2 vjet më parë në përpjekje për t’u fshehur.

Gjykata suedeze që gjykon Nurin do të dëgjojë dëshminë e 7 anëtarëve të “Organizatës Muxhahedine të Popullit” të cilët ndodhen në kampin “Ashraf 3” në Manzë, pasi janë dëshmitarët kryesorë të masakrës. Këta dëshmitarë kaluan shumë vite në burgje të ndryshme iraniane.

Bota duhet të shikojë gjyqin e Hamid Nourit në Shqipëri! Këtë thonë njëzëri muxhahedinët para gjykatës së Durrësit.
Transferimi i gjykatës suedeze në vendin tonë konsiderohet një ngjarje shumë e rëndësishme në hetimin e krimeve të mëdha në botën bashkëkohore. Ajo që e bën këtë gjykim edhe më domethënës është fakti se presidenti iranian Ebrahim Raizi ishte një nga katër anëtarët e komisionit të Vdekjes së Teheranit në vitin 1988 dhe ka dërguar me firmën e tij për varje mijëra të burgosur.

Familjarët e të viktimave shprehen se njerëzit e tyre u vranë dhe u varrosën në varre masive dhe historisë iu tha që t’i harronte emrat e tyre. Por plagët janë ende të thella, zemërimi nga tmerret e përjetuara iu ka mbushur zemrat dhe kërkojnë drejtësi.

Në mesin e banorëve të kampit te Manzës janë 1000 ish-të burgosur politikë, dhjetëra prej të cilëve ishin në burg në vitet ‘80 dhe ishin dëshmitarë të këtyre krimeve. Ata janë torturuar barbarisht ndërsa njerëzit e dashur të tyre janë ekzekutuar nga komiteti i vdekjes.

Deri në vitin 2016, regjimi iranian kishte arritur të ruante një vijë të kuqe: Asnjë bisedë, asnjë lot dhe asnjë dyshim për atë që ndodhi në burgjet iraniane në verën e vitit 1988.
E duket se drejtësia ka zbarkuar në gjykatën e Durrësit, ku prokurorë suedezë po dëgjojnë dëshmitë e atyre që u torturuan burgjeve të Iranit dhe mbijetuan, dhe sot jetojnë në kampin Ashraf 3 në Manzë. Për dy javë gjykatësit suedezë do të dëgjojnë disa dëshmitarë muxhahedinë.

Kenet Louis, avokati suedez i dëshmitarit dhe paditësit Mohammad Zand tha se klienti i tij dëshmoi për 69 emra të ekzekutuar para gjykatësve dhe se presidenti aktual i Iranit, Raisi sot duhet të gjykohej për krimet e tij.

Gjashtë anëtarët e gjykatës suedeze, dy prokurorë si dhe avokati i Norit janë në gjykatën e Durrësit, dhe thanë se njerëzit në Ashraf 3 janë burimi kryesor i informacionit për këtë kriminel dhe ata duhet të dëgjohen drejtpërdrejt siç ndodhi këtë të mërkurë me dëshmitarin e parë në Durrës. Gjyqi ndaj Hamid Nourit po zhvillohet ndërkohë në Suedi, dhe gjykatësit kanë zgjedhur që dëshmitë kundër tij ti dëgjojnë nga afër, duke ardhur në Shqipëri, pranë dëshmitarëve kyç të masakrës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb