Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut konfirmon skemën e re të kompensimit të ish-pronarëve në Shqipëri si një mjet ligjor efektiv.

Gjykata e Europiane për të Drejtat e Njeriut konfirmuar skemën e re të kompensimit për ish-pronarët. Ky fakti është bërë i ditur nga numri dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Në një mesazh në ‘Facebook’ kreu i grupit parlamentar të PS-së tha se ky vendim është një konfirmim shterues dhe përfundimtar. Sipas tij Gjykata ka pranuar skemën e kompensimit si mjet ligjor për Trajtimin e Pronës.

MESAZHI I BALLËS
Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut konfirmon skemën e re të kompensimit të ish-pronarëve në Shqipëri si një mjet ligjor efektiv. Ky vendim është një konfirmim shterues dhe përfundimtar se legjislacioni i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë mbi çështjen e kompensimit të pronave është tërësisht në respekt të parimeve të të drejtave të njeriut. Në njoftimin e sotëm të kësaj Gjykate, “Çështja Beshiri k. Shqipërisë (nr. 29026/06) dhe 11 kërkesa të tjera trajton ankesat në lidhje me mosekzekutimin e tejzgjatur të vendimeve përfundimtare që kanë njohur të drejtën e kompensimit për pronat e shpronësuara gjatë periudhës komuniste.

Ne vendimin e çështjes në fjalë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, njëzëri, i ka deklaruar kërkesat të papranueshme. Vendimi është përfundimtar. Në veçanti, Gjykata shqyrtoi me imtësi skemën e re për shqyrtimin e shumë kërkesave të pazgjidhura për mosekzekutim të vendimeve të kompensimit të cilat nuk ishin ekzekutuar prej disa dekadash.
Skema, e cila hyri në fuqi më anë të Ligjit për Trajtimin e Pronës të vitit 2015, ishte një përgjigje ndaj vendimit pilot të Gjykatës në çështjen Manushaqe Puto dhe të tjerë k. Shqipërisë, shpallur më 2012. Vendimi kishte konstatuar shkelje të nenit 6 § 1 (e drejta për një proces të rregullt), nenit 1 të Protokollit Nr. 1 (mbrojtja e pronës) të Konventës dhe nenit 13 (e drejta për zgjidhje efektive) të Konventës dhe kishte bërë rekomandime të përgjithshme mbi hapat që duhet të merreshin në lidhje me problemin në fjalë i cili ekzistonte prej kohësh dhe që kishte rezultuar në regjistrimin e shumë çështjeve të ngjashme në Strasburg.

Gjykata arriti në përfundimin se skema e ofruar me Ligjin për Trajtimin e Pronës ishte një mjet ligjor efektiv i cili duhej shteruar nga kërkuesit, edhe pse kërkesat e tyre ishin regjistruar shumë kohë përpara hyrjes në fuqi të ligjit. Kërkesat u deklaruan të papranueshme për mosshterim të mjeteve të brendshme, ose si të parakohshme, ose sepse kërkuesit nuk gëzonin më cilësinë e viktimës për shkelje të të drejtave të tyre.

Gjykata shtoi një kusht kyç: ajo çmoi se, në disa raste, vlerësimi i pronave sipas Ligjit për Trajtimin e Pronës mund të rezultonte në nivele shumë më të ulëta të kompensimit (për disa ish-pronarë) në krahasim me legjislacionin e mëparshëm. Për të shmangur një barrë ekstreme mbi këtë kategori të ish-pronarëve, kompensimi sipas skemës së re duhet të jetë jo më pak se 10% e vlerës së pronës që ish-pronarët do të përfitonin nëse vlerësimi financiar do të llogaritej mbi bazën e zërit kadastral aktual të pronës së shpronësuar.”
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb