Gjykata më e lartë e të drejtave të njeriut në Evropë i kërkoi Rusisë që menjëherë të lirojë kritikun dhe udhëheqësin opozitar Alexey Navalny.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) tha në një deklaratë se Navalny më 20 janar ka paraqitur kërkesë për lirim dhe se më 21 janar ka kërkuar nga Rusia të informojë në lidhje me masat për mbrojtjen e tij gjatë paraburgimit, si dhe kushtet në të cilat po mbahej.

Në përgjigjen e saj për masat mbrojtëse në burg, qeveria ruse ka thënë se Navalny po mbahet në një institucion të ruajtur dhe se qelia e tij është nën mbikëqyrje me video.

Qeveria ruse ka thënë se Navalny ka qasje në komunikimet elektronike përmes sistemit të burgjeve, është lejuar të realizojë thirrje telefonike dhe vizita nga avokatët dhe anëtarët e komisionit të monitorimit publik në disa raste.

Por pas pohimit të Navalny-it se këto masa nuk ishin “masa mbrojtëse të mjaftueshme për jetën dhe shëndetin e tij”, GJEDNJ vendosi t’i kërkojë qeverisë ruse lirimin e tij të menjëhershëm.

Gjykata tha se ka parasysh “natyrën dhe shkallën e rrezikut” për jetën e Navalny-t dhe “rrethanat e përgjithshme të ndalimit të tij aktual”.

Gjykata e Qytetit të Moskës, më 2 shkurt dënoi politikanin rus të opozitës, Alexey Navalny, me dy vite e tetë muaj burg për shkeljen e lirimit me kusht.

Gjykata e ndryshoi dënimin me kusht në një çështje penale të vitit 2014 në një dënim të plotë me burg, me çka opozitarit Navalny i shqiptoi dënim me burg tre vjet e gjysmë, duke e zbritur një periudhë pothuajse 1-vjeçare që ai kaloi nën arrest shtëpiak nga 28 shkurti deri më 30 dhjetor të vitit 2014.

Në vitin 2014, Navalny u dënua për mashtrim dhe përvetësim, por dënimi i tij u pezullua dhe u zëvendësua me gjashtë vite lirim me kusht. Ai ishte i detyruar të paraqitet në polici dy herë në muaj.

Megjithatë, pas helmimit të tij të pretenduar me një agjent nervor vitin e kaluar, gjendja e tij për t’u paraqitur në polici u vu në pritje gjatë trajtimit të tij në Gjermani.

Pasi ai u lëshua nga spitali, në shtator të vitit 2020 lirimi përfundoi. Por, sipas Shërbimit të Burgjeve Federale Ruse, ai nuk dha ndonjë arsyetim objektiv për mosparaqitjen e tij në polici dhe kështu emri i tij u vendos në listën e të kërkuarve.

Pas kthimit të tij në Rusi më 17 janar, Navalny u arrestua në aeroport, gjë që provokoi protesta masive në të gjithë Rusinë. Sipas aktivistëve të të drejtave, mbi 5 mijë persona janë arrestuar në protesta deri më 31 janar.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb