TIRANE– Gjykata Kushtetuese shfuqizon disa nene të ligjit për procedurat tatimore, ku parashikoheshin gjoba drastike për biznesin që nuk deklaronte punonjësit, nuk lëshonte kupon tatimor, apo nuk afishonte çmimet.

Konkretisht, në vendimin e saj, Kushtetuesja ka shfuqizuar nenet 5, 14, 15, 16/4, 17/1, 17/2, 18/ 2 dhe 20. Neni 5 i shfuqizuar parashikonte që çdo tatimpagues që kryente veprimtari në adresa të padeklaruara, dënim me 500 mijë lekë gjobë. Në nenin 14 parashikohej vendosja e një gjobe prej 500 mijë lekësh në rast se tatimpaguesi nuk deklaronte çdo të punësuar rishtazi.

Sipas Nenit 15 tatimpaguesi do të gjobitej po në vlerën 500 mijë lekë në rast se nuk deklaronte pagën reale të të punësuarve. Në nenin 16/4 parashikohej gjobitja me 10 milionë lekë për tregtuesit e shumicës, që tregtojnë mallin pa dokumente tatimore si dhe sekuestrim te mallit.

Në rast të përsëritjes se veprimit nga tatimpaguesi, administrata tatimore kallëzonte penalisht tatimpaguesin. Në nenin 17/1 tatimpaguesi gjobitej për moslëshimin e kuponit tatimor me 500 mijë lekë. Dhe në nenin 20 mosafishimi i çmimeve të shitjes së mallrave apo shërbimeve gjobitej me 500 000 (pesëqind mijë) lekë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: