Ish efektivi i policisë Sokol Dardha, i cili u arrestua në qytetin e Kuçovës për posedim të lëndëve narkotike, ka dalë sot para Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për tu njohur me masën e arrestit ndaj tij

Ai ka mbërritur nën masa të rrepta sigurie dhe masa e sigurimit ndaj tij është dhënë me dyer të mbyllura.

Sokol Dardha akuzohet për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, bazuar në Nenin 283/1 të Kodit Penal dhe “Nxitje për përdorimin e lëndëve narkotike”, bazuar në Nenin 286 të Kodit Penal. Prokurori i çështjes Dritan Gripshi i ka kërkuar gjykatës vlerësimin “të ligjshëm” të arrestimit të tij dhe duke u bazuar në provat e grumbulluara nga grupi hetimor ka kërkuar për të caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Pasi ka dëgjuar organin e akuzës dhe provat e grumbulluara si dhe avokaten mbrojtëse Flutura Eski, gjyqtarja Entela Gjoni e ka cilësuar “të ligjshëm” arrestimin e Dardhës dhe ka vendosur për të masën e sigurisë “arrest me burg”.

Si ndodhi ngjarja?

Ish-polici Sokol Dardha ka rënë në prangat e policisë dy ditë më parë në qytetin e Kuçovës. Sokol Dardha, 60-vjeç, u kap në lagjen “1 Maji” të qytetit, gjatë aksionit policor të koduar “Measure”.

Specialistët e antidrogës gjetën dhe sekuestruan gjatë kontrollit fizik dhe në ambientet e lokalit të shtetasit Zhevit Blloku, ku ndodhej Dardha duke konsumuar një kafe, 10 doza kokainë.

Më pas, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Dardhës, policia gjeti dhe sekuestroi edhe 23 doza të tjera kokainë, vaj hashashi, një peshore elektronike dhe 3 aparate celularë. Mësohet se policia ishte njoftuar në rrugë operative për veprimtarinë e tregtimit të lëndëve narkotike që ky shtetas ushtronte prej disa kohësh në qytet dhe aksioni për kapjen e tij ishte i mirëorganizuar.

Sokol Dardha, një ish-polic që ka punuar në radhët e Policisë së Shtetit deri në vitin 1997,akuzohet për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, bazuar në Nenin 283 të Kodit Penal dhe “Nxitje për përdorimin e lëndëve narkotike”, bazuar në Nenin 286 të Kodit Penal.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb