Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Administrative për të ndaluar Bashkinë e Tiranës që të shemb disa prej pallateve në zonën e Kombinatit.

Edhe pse bashkia e kryeqytetit pretendonte se këto godina ishin të dëmtuara nga tërmeti dhe duheshin shembur, sipas Kryemadhit banorët u treguan qëndrestarë të vërtetë duke mbrojtur pronat e tyre.

POSTIMI I PLOTË:

Respekt të pafund për banorët qëndrestarë të Kombinatit!

Miq, dje Gjykata Administrative ka dhënë vendimin e radhës në favor të banorëve dhe kundër dyshes Rama-Veliaj, për prishjen e pallateve në Kombinat duke u justifikuar pas dëmeve të tërmetit.

Banorët qëndrestarë patën dje fitoren e radhës!

Në lidhje me Pallatin 141, gjykata ka vendosur kundër vendimit të Bashkisë së Tiranës për ta shembur pallatin.

Në lidhje me Pallatin 153, tashmë të rrafshuar përdhe, gjykata e ka cilësuar të padrejtë vendimin për prishje të Bashkisë, si dhe vetë prishjen e pallatit.

Në 4 Nëntor 2020, në takim me banorët e Kombinatit i nxitëm të kërkonin garanci ligjore përmes kontratës nga Bashkia Tiranë. Në atë kohë fushata e përbaltjes nga Rama-Veliaj mbushi mediat e tyre, duke e zhvendosur thelbin e bisedës nga ligjore, në propagandistike.

SPAK duhet pa humbur kohë të nisë një hetim të thelluar, mbi dokumentacionin e parregullt që ka prodhuar Bashkia Tiranë dhe institucionet qendrore për të justifikuar shembjen e Kombinatit, si dhe dëmin financiar që i është shkaktuar buxhetit të shtetit nga këto vendime të padrejta.

Edhe njëherë, kjo është një fitore e banorëve qëndrestarë, si dhe të avokatëve të tyre, që luftuan deri në fund, me vullnet, fakte dhe prova, duke refuzuar çdo “blerje” nga pushteti i Bashkisë së krimit.

Ky është shembulli se si qytetaria fiton dhe e mund autokracinë, përmes bashkimit dhe qëndresës pa kushte!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb