SHKUP-Me shtatë vota “kundër” dhe dy “pro” u hodh poshtë iniciativa kundër vendimit për vlerësimin e ligjshmerisë së referendumit. Gjykata Kushtetuese nuk ka vërejtur dyshime mbi të cilat do të kishte bazë për vlerësim.

Gjykata Kushtetuese
“Me shumicë votash u hodh poshtë iniciativa e Kongresit Botëror Maqedonas, Partisë “E Majta” dhe qytetarit Marjanço Angellovski nga Kumanova. Gjykata Kushtetuese nuk ka konstatuar dyshime të cilat do të mund të merreshin si bazë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për referendumin e 30 shtatorit.”

Gjykatësja referuese, Elena Gosheva në analizën e saj potencoi se vendimi për referendum bie në kundërshtim me 10 nene kushtetuese dhe 6 nene të Ligjit mbi referendumin. Gosheva analizën e saj e bazoi kryesisht në pyetjen e referendumit e cila sipas saj është e habitshme dhe qytetarëve i imponon votimin “pro”.

“Si fillim, pyetja nuk parashikon të gjitha elementet sipas ligjit. Pyetja nuk ka sqarim dhe huton qytetarët. Gjithashtu aty nuk përmendet askund se ndryshohet emri i shtetit. Për një referendum të tillë duhet tre pyetje në fleta të ndara: A jeni për anëtarësim në NATO? A jeni për anëtarësim në BE? A e pranonin marrëveshjen me Greqinë? Çfarë do të ndodhë nëse dikush është për NATO dhe BE por kundër marrëveshjes ose e kundërta? Në vendim nuk është dhënë asnjë detaj nga marrëveshja e Prespës. Element tjetër është se këtë marrëveshje e ka arritur një organ jo legjitim për marrëveshje të kësaj natyre. Referendumi për bashkëngjitje në Aleanca është i obligueshëm, në këtë mënyrë Kuvendi ia merr të drejtën qytetarëve”- tha Elena Gosheva.

Në mbrojtje të referatit të gjykatëses Gosheva doli vetëm kolegu i saj Jovan Josifovski i cili kryesisht përsëriti qëndrimet e Goshevas. Shtatë gjykatësit e tjerë përfshi edhe kreun e Kushtetueses ishin kundër analizës. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Nikolla Ivanovski theksoi se vendimi nuk bie në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën.

“Nuk pajtohem me referatin dhe iniciativën kundër vendimit. Mbase në vendim ka disa çështje që ngritin dilema por që nuk përbëjnë bazë formale juridike për procedim dhe vlerësim. Vendimi si materie është në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe Ligjin mbi referendumin”- tha Nikolla Ivanovski.

Qëndrim të detajuar kundër iniciativës kishte edhe gjykatësi Osman Kadriu, i cili kundërshtoi pohimet se vendi kyçet në aleancë dhe se mashtrohen qytetarët.

“Ju lutem, nëse nuk e keni ditur po ua them: Bashkimi Evropian nuk është aleancë ndërsa NATO është aleancë politiko ushtarake dhe jo vetëm shtetërore. Si ka mundësi që referendumi dhe pyetja t’i mashtron qytetarët kur në këtë situatë thirren qytetarët të japin mendim, pra ata pyeten. Nuk ka mundësi që të anulohet vendimi i Kuvendit i cili është sjell me shumicë votash. Nga këtu mund të konstatoj se në vendimin për shpalljen e referendumin nuk ka asnjë element kundër Kushtetutës”-shtoi Osman Kadriu.

Qëndrim të njëjtë me Kadriun kishin edhe gjykatësit Naser Ajdari, Sali Murati, Darko Kostadinovski, Vangelina Markudova dhe Vlladimir Stojanovski, njofton Alsat M.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb