Gjykata e Tiranës zbardhi arsyetimin e vendimit të pafajësisë së Kristian Marinajt, i akuzuar si bashkëpunëtor i ish-deputetit Mark Frroku në vrasjen e Aleksandër Kurtit në vitin 1999, në Belgjikë.

Në lidhje me këtë vrasje në një proces tjetër gjykata shfajë- soi dy ditë më parë nga akuza edhe ish-deputetin. Në vendimin prej 65 faqesh ndaj Marinajt, i shpallur më 15 mars 2017, në analizë të provave të paraqitura në gjykim treshja gjykuese e kryesuar nga Lazer Sallaku dhe anëtarë Gerd Hoxha e Besnik Hoxha radhiste tetë arsyet se përse nuk provohej përfshirja e të pandehurit në vrasje. Në vijim zbardhen tetë argumentet që bindën gjykatën në pafajësinë e Marinajt, referuar vendimit të plotë, një kopje e të cilit u sigurua nga “Panorama”.

NUK JANE MARRE PROVAT
“Së pari, gjykata konstaton se veprimet hetimore të kryera nga policia gjyqësore belge në vendin e ngjarjes për këqyrjen dhe marrjen e provave të gjetura në vendngjarje, konkretisht në mënyrën e sekuestrimit të thikës së gjetur rreth 100 m larg trupit të viktimës, pasi nuk janë ndjekur procedurat e marrjes së kësaj prove, nuk ka asnjë procesverbal për marrjen e saj, fiksimit të vendit të gjetjes si me përshkrim dhe me fotografi, si dhe skicë të vendit të ngjarjes. Gjithashtu nuk është bërë ekzaminimi i gjakut të gjetur në të dhe mundësia e gjurmëve papilare të gishtërinjve të mbajtësit të thikës, nuk janë krahasuar njollat e gjakut të gjetura në thikë dhe në trotuar me ato të viktimës apo të autorëve të mundshëm, veprime këto që do të çonin organet e hetimit në administrimin e provave shkencore, të cilat do të hidhnin dritë mbi autorët e krimit, si dhe mekanizmin e ngjarjes, i cili përbën elementë shumë të rëndësishëm të anës objektive të veprës penale.

“S’KA DESHMITARE”
Sipas deklarimit të dëshmitarëve okularë, në vendngjarje ka pasur shumë njerëz, me dhjetëra të tillë, dhe nga ana e policisë gjyqësore belge nuk janë marrë masat e nevojshme për të pyetur një numër të konsiderueshëm dëshmitarësh, të cilët do të zbardhnin mekanizmin e ngjarjes dhe do të hidhnin dritë mbi autorin ose autorët e mundshëm të këtij krimi.

“MEKANIZMI I PAZBARDHUR”
Së treti, nuk është zbardhur dhe provuar mekanizmi i ngjarjes, si ka filluar dhe numrin e personave që kanë marrë pjesë në të, rolin që kanë pasur autori ose autorët e mundshëm, si dhe vetë i ndjeri, pra nuk është provuar përtej çdo dyshimi një pjesë e rëndë- sishme e anës objektive të veprës penale, e cila do të hidhte dritë edhe mbi anën subjektive të krimit.

“KU ISHTE I PANDEHURI”
Së katërti, nuk është verifikuar dhe nuk është provuar fakti se nëse i pandehuri Kristian Marinaj ka qenë në shtetin belg në kohën që ka ndodhur ngjarja.

“S’DIHET SA AUTORE”
Nuk provohet përtej çdo dyshimi prania e katër personave që të jenë konfliktuar dhe të kenë goditur për vdekje të ndjerin, Aleksandër Kurti, pasi nuk ka dëshmitarë okularë që ta pohojnë një fakt të tillë, pra që të kenë parë katër persona duke u konfliktuar me të ndjerin. Akuza e mbështet pretendimin e pranisë së tre personave të tjerë pjesëmarrës në vrasjen e të ndjerit, duke u mbështetur në deklarimet e disa dëshmitarëve okularë në vendngjarje. … Gjykata arrin në konkluzionin se organi i akuzës, me deklarimet e dëshmitarëve në vendngjarje nuk arrijnë të provojë pretendimin se kanë qenë 3-4 (katër) persona agresorë që kanë kryer krimin, ku njëri prej tyre në largim e sipër e ka hedhur thikën nën një kamion të parkuar afër vendit të ngjarjes.

“DESHMITARE ANONIME”
Përfaqësuesit e akuzës fajësinë e kanë mbështetur edhe në informacionet policore të marra nga dëshmitarët anonimë. Gjykata nuk ka pranuar shqyrtimin e tyre dhe që ato të futen në fashikullin e gjykimit.

“NUK KA MOTIV”
Përfaqësuesit e akuzës arrijnë në konkluzionin se motivi i vërtetë i ngjarjes ka qenë raporti mes viktimës dhe dëshmitares Lumturi S., dhe për të vërtetuar këtë përdoren edhe thirrjet telefonike hyrëse dhe dalëse të dëshmitares. Në këtë proces po gjykohet i pandehuri Kristian Marinaj dhe asnjë provë, qoftë kjo edhe thirrje telefonike, nuk e lidh dëshmitaren Lumturie S. me të pandehurin.

“OFICERI BELG KOMENTOI”
“Në lidhje me procesverbalin 30.03.1999 i komunikimit telefonik dhe pasqyrimit të bisedës mes komisarit gjyqë- sor C.V. dhe Nikolas Kurti, ku ky i fundit tregon për takimin e baballarëve të kryer në Shqipëri, sipas të drejtës zakonore gjykata vlerëson se ‘Në procesverbal nuk është përcjellë në ligjëratë të drejtë sa ka thënë telefonikisht Nikolas Kurti. Nga mënyra se si ky procesverbal është hartuar rezulton që më shumë se fjalët e Nikolas Kurtit, në të janë pasqyruar komentet e oficerit të policisë gjyqësore. Njoftimet që vijnë në pjesën e parë të procesverbalit kanë pasaktësi të dukshme dhe nuk janë konfirmuar në seancë gjyqësore nga dëshmitarët e pyetur, apo edhe nga aktet e tjera të mbledhura në fashikullin e gjykimit dhe të shqyrtuara nga gjykata”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: