Kryinspektorja e IKMT, Dallëndyshe Bici shpallet e pafajshme për akuzën për shpërdorim detyre.

Vendimi është marrë sot nga Gjykata e Pogradecit, pas një procesi të gjatë, ku zonja Bici u akuzua për
shpërdorim detyre pas prishjes së një objekti në vitin 2014.

“Isha e qetë, pavarësisht çdo lëvizjeje nëntokësore, kisha në krahun tim edhe ligjin edhe drejtësinë. Do të vijoj punën me të njëjtin përkushtim dhe angazhim pavarësisht pengesave”, tha Bici pas përfundimit të seancës.

AKUZA
Bici dhe zyrtari lokal i IKMT-së, Fatmir Meta akuzoeshin për shpërdorim detyre për prishjen e paligjshme të një objekti ”Bar-Restorant” me sipërfaqe 450 m2, në pronësi të shtetasit M.C., në zonën e liqenit të Ohrit, në ish-komunën Udënisht. Prokuroria ka konstatuar se vlera e objektit llogaritet në rreth 60 milionë lekë të reja, afërsisht 500 mijë dollarë.

SHKELJET E PRETENDUARA NGA PROKURORIA
– Vendimi për prishjen e lokalit është një vendim selektiv, arbitrar dhe haptazi në kundërshtim me dispozitat ligjore, pasi objekti ishte ndërtuar me leje të dhënë nga organi kompetent dhe ishte i regjistrtur në Z.V.R.P.P. Nëse leja e dhënë vinte në kundërshtim me dispozitat ligjore, çështja do të zgjidhej në gjykatë.

– Vendimi i mësipërm është selektiv, pasi kishte të paktën edhe dy lokale të tjerë, pjesërisht të ndërtuar në liqen, të konstatuar nga vetë punonjësit e IKMT si ndërtime në kundërshtim me lejen e dhënë. Në këto raste, asnjë prej tyre nuk u konsiderua si ndërtim i kundraligjshëm. Përkundrazi, këto raste janë trajtuar si prishje në kuadër të shpronësimeve për zbatimin e projektit buzë liqenit të Ohrit.

– Po kështu vendimi për prishjen e lokalit është marrë pa verifikuar dokumentacionin dhe urdhëri i prishjes është dhënë në çast, duke mos respektuar kërkesat e ligjit për afatet e kundërshtimit të aktit administrativ, duke i mohuar pronarit të objektit të drejtën e ankimit në gjykatë.

– Nga veprimet hetimore rezulton se në krye të operacionit për prishjen e lokalit ka qenë personalisht Kryeinspektorja e I.K.M.T., Dallëndyshe Bici, e cila, me veprimet e saj, ka shpërdoruar detyrën, duke i shkaktuar pronarit me iniciale M. C. dëm ekonomik të konsiderueshëm.

– Ditën e ndërhyrjes së inspektorëve të IKMT për prishjen e godinës, pronarit të ligjshëm të saj nuk i është vënë në dispozicion asnjë akt administrativ përkatës. Një akt i tillë për prishjen e godinës së M.C., nuk gjendet as në arkivin dhe protokollin e IKMT-së në Tiranë.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb