Detaje të reja janë publikuar nga mediat turke lidhur me shtetasin turk Faruk Fatih Özer, i cili akuzohet për mashtrim me kriptomonedhat.

“Bosi turk i kriptomonedhave fshehu 13 milionë euro në Maltë”, shkruan media turke.

Faruk Fatih Özer për të cilin Gjykata e Elbasanit vendosi pak ditë më parë që të ekstradohet në drejtim të Turqisë, raportohet të ketë fshehur në Maltë 13 milionë euro nga fondet e vjedhura prej rreth 390,000 klientëve.

Themeluesi i “Exchange Thodex”, kompanisë më të madhe të kriptomonedhave në Turqi sipas akuzave në një aktakuzë të përgatitur nga Zyra e Kryeprokurorit Publik të Anadollit akuzohet për mashtrim të qindra mijëra klientëve.

Aktakuza u ndërtua pas një hetimi të kryer nga MASAK (Bordi i Hetimit të Krimeve Financiare të Turqisë), njësia e inteligjencës financiare të vendit e cila është e atashuar pranë Ministrisë së Financave dhe Thesarit.

Raporti i MASAK, i raportuar nga disa media në Turqi, zbulon se Özer transferoi asetet e kriptove të klientëve të tij me një vlerë totale prej 13.2 milionë euro (253,714,909 lira turke) nga tre llogari të veçanta në kuletat e një ofruesi të shërbimit të aseteve kripto në Maltë.

Ato llogari në kripto, sipas hetimeve të MASAK, i përkasin Faruk Fatih Özer dhe bashkëpandehurve Cem Uzunoğlu dhe Zuhal Özer.

Özer ishte në arrati për më shumë se një vit, por ai tani do të ekstradohet në Turqi pasi u arrestua në Shqipëri në gusht, në bazë të një Njoftimi të Kuq të Interpolit të lëshuar për arrestimin e tij më 23 prill 2021.

Ai do të përballet me akuzat për mashtrim të rëndë dhe formim të një organizate kriminale.

Vendimi nga Gjykata e Elbasanit erdhi pas një sërë seancash gjyqësore të zhvilluara gjatë tre muajve të fundit.

Në një deklaratë për korrespondentin e Anadolu Agency, gjyqtarja Elis Dine theksoi se vendimi mund të apelohet në Gjykatën e Apelit Durrës brenda 15 ditëve.

Ozer u largua nga Turqia pasi Thodex, i cili tërhoqi 400,000 përdorues gjatë bumit të kriptove në vend, papritmas doli jashtë linje në pranverën e vitit 2021. Asokohe u raportua se Özer u arratis jashtë vendit me një vlerë parash prej 2 miliardë dollarësh.

Më shumë se 60 persona u arrestuan në Turqi në lidhje me rastin Thodex.

Prokurorët në Turqi kanë kërkuar mijëra vjet burg për themeluesit dhe drejtuesit e bursës me dyshimin për mashtrim dhe pastrim parash.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb