Avokati i familjes së Liridona Ademajt, Leutrim Syla, ka reaguar pas vendimit të gjykatës për të pranuar kërkesën e mbrojtjes që të bëhet një ekzaminim psikiatrik i të dyshuarit kryesor për vrasjen e Liridonës, Naim Murselit. Syla e ka cilësuar këtë veprim si një përdorim të padrejtë të procedurave ligjore me synim vonimin e procesit gjyqësor apo përpjekje për të lehtësuar përgjegjësinë penale të të akuzuarit.

“Vendimi i gjykatës për të pranuar këtë kërkesë është në përputhje me procedurat ligjore, por nga ana jonë shihet si një manovër e mbrojtjes për të vonuar procesin ose për të shmangur përballjen e plotë me drejtësinë. Kjo është një taktikë që shpesh përdoret për të ndikuar në zbutjen e dënimit përmes mekanizmave shëndetësorë apo për ta paraqitur të pandehurin në një dritë tjetër përpara gjykatës,” deklaroi Syla për Tv Dukagjini.

Ai shtoi se në raste të ngjashme në të kaluarën, ekzaminimet psikiatrike janë përdorur si mjet për të penguar drejtësinë apo për të krijuar baza për arratisje.

“Ka pasur mjaft raste kur këto ekzaminime janë keqpërdorur, por në përfundim ka rezultuar se i akuzuari është mendërisht i shëndetshëm. Në këtë rast konkret, përballja e Naim Murselit me një dënim të mundshëm të përjetshëm e shtyn atë të përdorë çdo hap të mundshëm ligjor për të zbutur pasojat, dhe ndoshta kjo është përpjekja e tij e fundit për të ndikuar në vendimin përfundimtar të gjykatës,” përfundoi Syla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb