KOSOVË

Ish-luftëtari i UÇK-së Azem Syla është thirrur nga Haga, në kuadër të ftesave që iu bëhen ish-ushtarëve e ish-komandantëve të kohës së luftës nga Gjykata Speciale.

Azem Syla është ndër themeluesit dhe ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Javën e kaluar janë thirrur në Hagë për të dëshmuar tetë ish-luftëtarë të UÇK-së. Në Kosovë është ngritur Gjykata Speciale, e cila ka si objektiv të gjykojë krimet e luftës.

Prokuroria e Specializuar, deri më tashmë, ka ftuar për intervistim rreth 100 persona, ndër ta edhe disa nga ish-figurat e larta të UÇK-së, që pas luftës, ishin dhe janë pjesë e skenës politike të Kosovës, sikurse Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Shukri Buja, por edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorisë së Specializuar, janë përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, në të cilin flitet për krimet e pretenduara se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb