Në emisionin “Real Story”, në “News 24”, është duke u folur për ekonominë.

Depuetja e PS, Blerina Gjylameti, pjesë e Komisionit të Ekonomisë në Parlament, tha se buxheti i vitit 2022 parashikon subvencione të drejtpërdrejta. Rritja ekonomike sipas saj, do të mundësohet nga sektori i bujqësisë, rindërtimit dhe turizmit.

“Normalisht nga OMN është kërkuar që të mos shikohet prekja e skemës së TVSH, por duke parë subvencionime të drejtpërdrejta. Që të rritet produktiviteti ajo që kërkohet ka të bëjë me skemat e tokave bujqësore. Ka qenë problem i mbartur prej vitesh, që ka të bëjë me regjistrimin e tokave bujqësore. Ndërkohë në anën tjetër, ka pjesë të politikave afatmesme që duhet të mbështeten.

Duhet të kuptojmë që teksa diskutojmë paketën fiskale ajo ka prekur disa elementë të buxhetit. Ne vijmë pas dy viteve shumë të vështira, viti i parë i tërmetit dhe i dyti i pandemisë. Duhet theksuar fakti se kush janë shtyllat që do të garantojnë ngritje ekonomike, turizmi, rindërtimi dhe bujqësia. Rindërtimi ka kontribuar për të ulur efektet negative. Papunësia është në normën që kemi patur para vitit 2019. Ne mund të shohim që mbështetja e një fermeri do të jetë një politikë sociale. Duhet të nxisim nga ana tjetër prodhimin, që të kemi rritjen ekonomike që përkthehet në shpenzime”, tha Gjylameti.

Për Kreun e Shoqatës së Birrës, Stefan Pinguli, biznesi ka shumë nevojë për ndihmë. Ai tha se shteti vendos pulla kontrolluese, në llogari të vet, mirëpo sipas tij, pulla nuk duhet paguar prej tyre, por nga shteti. Po ashtu e cilësoi si jo të drejtë rritjen e çmimit të energjisë.

“E vërteta është që biznesi gjen portofole të reja që krijohen nga këto fronte. Birra vjen në fushën e bujqësisë, sepse i mungon lënda e parë nga Shqipëria. Duhet ta shohim pak më gjerë. Dua të ndaloj në dy kolona. Paketa fiskale, e cila quhet reforma fiskale, ka objektivin e vet të barazojë interesat mes shtetit dhe prodhuesit, që duhet bërë përmes disa normave. Prandaj, ne ngelemi te ajo demokrato-ekonomia që mbështet te këto 4 kolona. Të jemi transparentë, të ndërgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës. Ju thoni që jeni takuar me njerëz të caktuar, e mendoj që fakti që i gjithë shteti e mendon ekonominë tonë si një ekonomi që të eci vetë. Si do të barazohemi me kostot? U tha që do të hapemi me Ballkanin, e jam dakord unë. Po çfarë mbyllje kemi me Ballkanin ne? Ne të gjithë mallrat i marrim në Serbi, nuk e kuptoj kush e ka penguar këtë punë. Ne me të vështirë e kemi marrëdhënien me Kosovën se sa Serbinë. Unë them se ne kemi mbi 4-5 probleme te birra, kemi problemin mes shtetit dhe prodhuesit nga akciza. Ajo ka dhunën ligjore e thotë parapaguaje, ndërsa ne nuk jemi në gjendje të rikuperojmë pjesën e akcizës që e kemi pjesë të kostos. Prandaj i përmenda kolonat. Unë bëj transportin, e pjesën e karburantit nuk rikuperohen. Si ka mundësi? Së dyti, vijmë te elementët përbërës të akcizës. Kemi dhe taksa mbi pullën. Pulla është element kontrolli nëse dalim nga ligji, doni të na kontrolloni paguajeni vetë. Çfarë bën Evropa me pullën? Nuk ekziston atje. Kosova që e ka, e ka 1/10 tonën. Këto duhen parë. Shteti ynë thotë që një shishe që del nga fabrika duhet ta garantosh në bankë. Çfarë është kjo mungesë besimi te ne. Ato që vijnë nga importi, kanë shumë më shumë lehtësira. Në kohën e COVID-it, Italia dhe Greqia ulën çmimin e birrës për shkak të situatës. Nuk jam fare dakord për rritjen e çmimit të energjisë. Analizën e bëjmë. E dimë mirë se si ruhet uji, absolutisht që ruhet. Do s’do shteti, apo privati. Ne e ruajmë ujin, nuk e derdhim ujin. Këto janë çështje kontratave. Elementet e transaksionit mund të zgjidhen”, u shpreh Pinguli.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb