Kryetarja e Partisë Socialiste për kryeqytetin, deputetja, Blerina Gjylameti në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, teksa analizon situatën politike të krijuar pas protestës së opozitës dhe lënies prej saj të mandateve të deputetëve, ashtu si kryeministri Rama, shkaqet i lidh me reformën në drejtësi dhe sondazhet parazgjedhore të mbështetjes që gëzon në popull.

Sipas saj, shqiptarët nuk e meritojnë kurrë një opozitë të tillë, që prish kontratën me popullin për të shtruar në tavolinë kontratën për pushtetin. “Opozita duhet të kthehet në vatrën e saj të reflektimit për të hequr dorë nga djegia e kontratës me popullin, apo interesin e ngushtë me pushtetin dhe për t’u vendosur përballë në mënyrë demokratike. Thelbi i demokracisë ndahet midis votës dhe sovranit”, – shprehet Gjylameti. Pavarësisht këtij akti ekstrem të opozitës, ajo thekson se mazhoranca është e vendosur që ta çojë deri në fund kontratën me qytetarët për të qeverisur deri në fund të këtij mandati. Gjithsesi, ajo thekson se ura e bashkëpunimit dhe dialogut me opozitën mbetet e hapur, por gjithmonë brenda rregullave ligjore, duke përjashtuar kështu dorëheqjen e Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore.

“Presidenti ka dekretuar tashmë datën e zgjedhjeve vendore dhe ne po punojmë me strukturat tona për të ofruar kandidatët më përfaqësues. Nga ana tjetër, ne kemi hapur urën e dialogut për të zgjidhur situatën brenda rregullave të lojës, që i kemi gjetur edhe kur nuk kemi qenë në këto kushte”, – nënvizon Gjylameti. Deputetja socialiste thekson gjithashtu se pavarësisht kësaj situate, opozita do marrë pjesë në zgjedhjet vendore. Nga ana tjetër, duke folur për çështjet e brendshme partiake dhe organizimin elektoral, ajo vlerëson punën e bërë në Tiranë nga Veliaj, por duke theksuar se kandidimi i tij do vendoset pas analizës që do bëhet në strukturat partiake.

“Tirana ka ndryshuar jashtëzakonisht. Këtë e dëgjoj në çdo takim me qytetarët dhe jo vetëm e dëgjoj, por shoh dhe bilancin e krahasimit që ata bëjnë me atë që ishte dhe atë që është. Tirana sot rreshtohet në kryeqytetet me një nivel në rritje të standardit europian dhe kjo falë punës së madhe të ekipit të Bashkisë së Tiranës dhe mbështetjes së qeverisë socialiste. Analiza nga struktura mbi performancën e gjithsecilit nga kryebashkiakët do të përcaktojë dhe kandidaturën e duhur”, – shprehet Gjylameti. Duke folur për ndryshimet në qeveri, ajo thekson se emrat e rinj do të sjellin një energji të re në qeverisjen e vendit. “Unë nuk i shoh jashtë, përkundrazi kontributi i tyre i djeshëm në krye të ministrive dhe pjesë e pandashme e ekipit i dha 74 mandate Partisë Socialiste, e tashmë të dedikuar tërësisht në bazë për t’i dhënë fitoren në 61 bashki të vendit. Përsa u përket ndryshimeve në qeveri, ajo që lexoj unë është pikërisht ajo që tha kryeministri, nevoja për një energji të re përballë sfidave që ne kemi përditë me qytetarët”, – thotë Gjylameti.

Zonja Gjylameti, zhvillimet politike në vend kanë marrë një kthesë të papritur që nga protesta e 16 shkurtit, ku nuk munguan as aktet e dhunës ndaj godinës së institucionit të Kryeministrisë. Pas saj, opozita ndërmori edhe aktin e dorëzimit të mandateve të deputetëve të vet. Keni një koment për këtë situatë?

Mendoj se ky është një akt i paprecedent i ndodhur në historinë e parlamentarizmit në demokracinë shqiptare. Mendoj se demokracia në themel të funksionimit të saj duhet ta ketë opozitën, por shqiptarët nuk e meritojnë kurrë një opozitë të tillë, që prish kontratën me popullin për të shtruar në tavolinë kontratën për pushtetin. Opozita duhet të kthehet në vatrën e saj të reflektimit për të hequr dorë nga djegia e kontratës me popullin apo interesin e ngushtë me pushtetin dhe për t’u vendosur përballë në mënyrë demokratike. Thelbi i demokracisë ndahet midis votës dhe sovranit.

Çfarë do ndodh tashmë më tej, a është e mundur që të qeveriset pa prezencën e opozitës në parlament?

Mendoj se ishte e qartë edhe në deklaratën që kryeministri Rama ka bërë pas aktit të djegies së mandateve nga opozita. Ne jemi një vend që kemi prej 30 vitesh një Kushtetutë që e përvetësojmë edhe më tepër, duke iu referuar paketave juridike të perëndimit. Siç thashë, akti është i paprecedent dhe në një mënyrë apo në një tjetër, komenti i vetëm që unë kam është që ne do të vazhdojmë jetën tonë politike, duke respektuar votën e atyre që na kanë zgjedhur, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të treguar se ne respektojmë institucionet.

Opozita ka parashtruar ndër të tjera si kërkesë të panegociueshme krijimin e një qeverie transitore, për të bërë të mundur zhvillimin e zgjedhjeve lokale dhe atyre të parakohshme parlamentare në të njëjtën kohë. A e përjashtoni ju një marrëveshje tjetër politike mes mazhorancës dhe opozitës për të shtyrë datën e zgjedhjeve lokale dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme?

Presidenti ka dekretuar tashmë datën e zgjedhjeve vendore dhe ne po punojmë me strukturat tona për të ofruar kandidatët më përfaqësues. Nga ana tjetër, ne kemi hapur urën e dialogut për të zgjidhur situatën brenda rregullave të lojës, që i kemi gjetur edhe kur nuk kemi qenë në këto kushte.

Po nëse opozita nuk merr pjesë në zgjedhjet vendore, a do mbahen ato?
Kam bindjen se opozita do të marrë pjesë në zgjedhje.

Cila besoni se është arsyeja e vërtetë e opozitës për këto hapa drastike, sidomos kur jemi para zgjedhjeve vendore?

Natyrshëm më vjen të them se prej kohësh ka një përpjekje koherente nga ana e tyre për të penguar reformën në drejtësi. Nga ana tjetër, mendoj se opozita nëpërmjet sondazheve ka matur edhe humbjen e radhës dhe kjo mbase e ka çuar në këtë vendim ekstrem, me mendimin se kështu mund të prish zgjedhjet apo të fitoj kapital politik. Gjë e cila nuk duket produktive.

Intervistën e plotë e lexoni në GSh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb