Në Gjykatën Themelore të Shkupit, paraditen e sotme ka nisur seanca e radhës në procesin gjyqësor kundër 29 personave, të dyshuar si pjesëmarrës të një grupi të armatosur, të cilët sipas Kodit Penal të Maqedonisë ngarkohen me veprat penale “organizim terrorist”.

Veprat penale ata dyshohen se i kanë kryer gjatë përleshjeve të armatosura që ndodhën në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj, të vitit të kaluar.

Ndërsa në seancën e së martës, prokurori i rastit e ka lexuar aktakuzën ndaj të akuzuarve, sot, të akuzuarit janë duke dëshmuar në lidhje me pretendimin e prokurorisë dhe janë duke treguar versionin e tyre të ngjarjes në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

I pari nga të akuzuarit që ka dëshmuar para trupit gjykues është shtetasi i Kosovës, Rufki Dogani.

Ai mes të tjerash, para trupit gjykues është shprehur se Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj, janë vrarë nga policia maqedonase pasi janë dorëzuar. Kjo sipas tij, ka ndodhur për qëllime politike dhe me qëllim që të fshihet e vërteta që qëndron pas ngjarjeve në Kumanovë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb