Deputeti demokrat, Ervin Salianji ka reaguar pas gjyqit që pati sot në lidhje me padinë e Geron Xhafajt. Në një mesazh në Facebook theksoi se sot në gjykatë denoncoi publikisht qeverinë për lehtësimin dhe favorizimin që i bën grupeve kriminale në trafikun e drogës.

Mes të tjerash Salianji tha se akuzat ndaj tij janë çështje e montuar politikisht, që sipas tij e e di i madh dhe i vogël në Shqipëri.

REAGIMI I SALIANJIT
Edhe sot si qindra herë të tjera në dyert e gjykatës, edhe sot si qindra herë të tjera nuk u paraqita për çështjet e mia personale, aq me pak e ndonjë përfitimi personal apo shkelje të ligjit! Isha aty pasi denoncova publikisht qeverinë për lehtësimin dhe favorizimin që i bën grupeve kriminale në trafikun e drogës! E bëja dhe do ta bëj atë betejë të drejtë dhe të duhur edhe me rriskun e një sakrifice personale shumëdimensionale për të përfaqësuar votuesit opozitarë dhe për të mbrojtur interesin e Shqipërisë!
Kjo çështje është e montuar politikisht, e di i madh dhe i vogël në Shqipëri, e dinë dhe e flasin kudo tanimë dhe prokurorët dhe gjyqtarët që u gënjyen nga regjimi që nëse shkelnin ligjin do favorizoheshin në kalimin e Vetingut, si shumë të tjerë të gënjyer nga qeveria dhe prokurorë e gjyqtarë që sajuan këtë çështje, të gjithë pa asnjë përjashtim ishin aq të zhytur sa u shkarkuan nga Vetingu!

Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar në atë periudhë e denoncoi fort dhe ish Ministri i Brendshëm u shkarkua, i dyti me radhë për favorizim të krimit të organizuar por për ti shpëtuar fytyrën regjimit filloi hakmarrja politike dhe çështja ndaj meje dhe gazetarit u montua, manipulua dhe sajua, dëshmitari llum, kontigjent i policisë u kap në pergjimet e prokurorisë kur paguhej nga drejtorët e policisë për të shmangur hetimin nga trafikantët dhe lidhjet e qeverise me trafikantët e drogës!

Kam marrë përherë kosto për të mbrojtur me forcë interesin publik dhe të votuesve që më kanë mbështetur dhe zgjedhur, kam mbrojtur shokët, miqtë e kolegët në çdo rast duke mos shitur asnjëherë interesat e Shqipërisë dhe opozitës, jam mësuar që të bëj beteja të drejta pavarësisht kostove dhe me çdo kosto, asnjëherë për interes personal dhe përherë në interes të qytetarëve!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: