NGA: GERILINA KODHELI
Gjergj Muzaka duket se i ka dhënë fund njëherë e përgjithmonë karrierës së tij si futbollist. Mesfushori i klubit “Tirana” është në prag të prishjes së kontratës me bardh e blutë dhe e gjitha kjo për shkak të 7 milionë lekëve të vjetra. Sportisti i njohur i është përkushtuar farmacisë, fakt që e ka demonstruar duke publikuar një foto në rrjetet sociale teksa shërben në një farmaci, e përkrah saj shkruan se, “Futbolli nuk zgjat përgjithmonë”.

Historia ka nisur më 30 dhjetor të vitit që shkoi, kur Muzaka kishte hedhur në gjyq klubin, pasi ky i fundit i kishte mohuar rrogën e plotë prej 7 milionë lekësh të vjetra. Në fakt, burime të suplementit “Bluetooth” të Gazeta Shqiptare kanë treguar se klubi ka pasur probleme me shlyerjen e pagave në kohë gjatë muajve të fundit, por gjithçka ishte zgjidhur në dhjetor, kur thuhet se presidenti kishte shpërndarë rreth 300 milionë lekë për rrogat e prapambetura. Por, përjashtim përbënte futbollisti Gjergj Muzaka, i cili gjatë vitit të kaluar ka qenë i dëmtuar. Presidenti i “Tiranës”, Refik Halili pretendonte se sipas kontratës, Muzakës i takonin vetëm 1 milion lekë të vjetra, pra paga bazë mujore pa bonuse, ndërsa futbollisti kërkon rrogën e plotë.

I kontaktuar nga “Bluetooth”, futbollisti tregon se pavarësisht të gjithave, kontrata e tij me klubin “Tirana” vazhdon, e pikërisht për këtë është i detyruar ta respektojë. “Nuk mund të flas për situatën, pasi jam ende në kontratë. Por gjithçka do të merret vesh shumë shpejt, më saktësisht pas pak ditësh”, ka thënë futbollisti, i cili beson se konfliktit të tij me klubin Tirana dhe përplasjes së madhe me presidentin do t’i jap zgjidhje drejtësia. I pyetur për profesionin e tij si farmacist, Muzaka rrëfehet se, “Unë jam diplomuar për Farmaci dhe e ushtroj prej disa kohësh tashmë”, teksa nënkupton se e ardhmja e tij do të jetë mes pacientëve dhe medikamenteve.
(Bluetooth/Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb