Presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi, i kontaktuar nga “Panorama Sport” në lidhje me pretendimet e Marko Pontrelit, ka bërë të ditur se italiani e ka shitur skuadrën dhe për këtë fakt ka dokumente të firmosura prej tij që e vërtetojnë.

Kreu i klubit blu pohon se Dinamo është prej disa muajsh shoqëri aksionere dhe me këtë status është e regjistruar në FSHF dhe në UEFA.

“Nuk e di çfarë pretendimesh ka Pontreli, por di të them se ai e ka shitur Dinamon dhe nuk ka çfarë kërkon. Dinamo ishte OJF, por prej shtatorit është shoqëri aksionere, ka një president të vetëm dhe ai quhet Adrian Bardhi.

Janë dokumente që mund të verifikohen, janë me vendim gjykate që janë të depozituara si në Federatën Shqiptare të Futbollit, ashtu edhe në UEFA.

Gjithçka është qartë. Pontreli ka firmosur vetë një dokument, ku e bën të qartë se heq dorë nga gjithçka dhe nuk ka më asnjë funksion te Dinamo, pasi e ka shitur atë. Që prej muajit korrik jam unë që përgjigjem për Dinamon, jam aksioneri i vetëm dhe presidenti i saj”, thekson presidenti Bardhi për gazetën.

MUND T’I SHESË AKSIONE

Më tej, presidenti i bluve pohon se është i hapur për t’i shitur aksione Pontrelit apo dikujt tjetër që dëshiron t’i blejë.

“Unë jam i hapur për këdo, vetëm 51% të aksioneve nuk i shes, për të tjerat mund të blejë kuota Pontreli apo ndonjë tjetër, por duhet të investojnë shumë para për Dinamon.

E ritheksoj, Dinamo është shoqëri aksionere dhe ne po bëjmë një investim kolosal edhe për kompleksin e ri. Ju mendoni se bankat mund të kreditojnë një OJF…? Çdo gjë e kemi me dokumentacion të rregullt, ndaj nuk e di nga dalin këto pretendime”, ka shtuar Bardhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb