TIRANE- Tjetër kërcënim ka ardhur sot ndaj ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, nga salla e gjyqit në Gjykatën e Krimeve të Rënda, gjatë procesit të të akuzuarve për rekrutime të shqiptarëve në Siri.
Pak pas nisjes së procesit gjyqësor, Fadil Muslimani, iu drejtua me pyetje kërcënuese ministrit të Brendshëm, ndërsa u shpreh se “pse trembet tani Saimir Tahiri, nëse nuk u ka bërë gjë myslimanëve, nuk ka pse trembet, nëse ka bërë ku do shkojë tani”.

“Kur vritet një mysliman është fatkeqësi, kur vritet një qafir është tragjedi, pse nuk flet ti piktor i masonisë për fëmijët që vriten në Siri.”- ka vijuar më tej, i pandehuri në sallën e gjyqit.

Fadil Muslimani, është një ndër të akuzuarit për rekrutime të shqiptarëve në Siri, ndërsa më herët ai ka punuar si kuzhinier në Xhaminë e Unazës së Re. Para trupit gjykues, ai mohoi akuzat ndërsa tha se do të ishte i lumtur nëse do të kishte çuar njeri në Siri për të luftuar.

Në vijim të procesit gjyqësor, imami i vetëshpallur i Xhamisë së Unazës së re, Genc Balla dhe disa të pandehur të tjerë kanë kërkuar tu vihen në dispozicion CD me përgjimet ambientale dhe telefonike, nën pretendimin se nuk është bërë zbardhja e plotë e tyre.

Genc Balla deklaroi se është veçanërisht i interesuar për zbardhjen e një telefonate të bërë mes tij dhe Bujar Hysenit, imamit të vetëshpallur të xhamisë së Mëzezit, në janar të vitit 2014. Procesi gjyqësor te Krimet e Rënda është kryer nën masa të rrepta sigurie, dhe pa praninë e mediave.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb