Dyshohet se policia izraelite ka përdorur programe të sofistikuara përgjimi për një dëshmitar të rëndësishëm në gjyqin për korrupsion ndaj ish-Kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu. Ky zhvillim u bë i ditur nga mediat izraelite. Njoftimet kanë tronditur çështjen gjyqësore ndaj zotit Netanjahu, ndërsa në qendër të vëmendjes është vënë programi i debatueshëm i survejimit i zhvilluar nga Izraeli.

Zoti Netanjahu po gjykohet për korrupsion. Në njoftimin fillestar nga stacioni televiziv izraelit Channel 13 javën e kaluar, u tha se policia kishte përdorur programe survejimi për të mbledhur të dhëna nga telefoni i dëshmitarit, por pa marrë autorizimin përkatës. Lajmi shkaktoi bujë në vend.

Avokatët e zotit Netanjahu kanë kërkuar përgjigje nga organet shtetërore lidhur me të dhënat që janë mbledhur dhe mënyrën e grumbullimit të tyre. Njoftimet mediatike kanë ringjallur mbështetësit e zotit Netanjahu, të cilët e konsiderojnë gjykimin si pjesë të një komploti. Edhe kundërshtarët politikë të ish-kryeministrit janë shprehur të indinjuar.

Shlomo Filber, telefoni i të cilit thuhet se është hakeruar, pritet të dëshmojë gjatë ditëve në vazhdim. Pritet që avokatët e zotit Netanjahu të kërkojnë shtyrjen e dëshmisë së tij. Nuk ka detaje nëse ndonjë nga provat, që thuhet se janë mbledhur nga përgjimi i supozuar, janë përdorur kundër zotit Netanjahu. Organet e rendit dhe Ministria e Drejtësisë nuk u janë përgjigjur kërkesave të medias për të komentuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: