Prokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, Silvia D’Ascoli ka publikuar fotografi të disa objekteve në Zllash, rreth 20 kilometra larg Prishtinës, ku pretendojnë se me urdhër të ish-eprorit të UÇK-së, Sali Mustafa, torturoheshin e vriteshin njerëz në prill të vitit 1999, raporton Gazeta Express.

Në fjalën përmbyllëse, ajo tha se njësia BIA, të cilën e udhëhiqte Sali Mustafa, “e përdorte këtë vend si një nga bazat e veta” dhe se Sali Mustafa “e kontrollonte kompleksin”.

“Kush ishin viktimat në këtë çështje? Viktimat ishin të gjithë shqiptarë të Kosovës. Asnjëri prej tyre nuk merrte pjesë aktive në luftime në kohën e arrestimit, keqtrajtimit, apo në një rast, vrarë”, tha ajo.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Prokurorja D’Ascoli tha se “askush prej tyre nuk i ndihmoi forcat serbe në ndonjë mënyrë”.

“U arrestuan, u rrëmbyen, u dërguan në atë kamp në Zllash”, tha ajo.

Prokurorja tha se “viktimat i mbanin në një stallë, një vend që përdorej për t’i mbajtur bagëtinë”.

Duke treguar dy fotografi të objekteve ku pretendonte se mbaheshin të ndaluarit, ajo tha se disa prej tyre ishin edhe “në bodrumin e objektit”.

“Ata keqtrajtoheshin vazhdimisht në këto vende. Në katin e sipërm të objektit, të ndaluarit merreshin në pyetje dhe torturoheshin”, tha D’Ascoli.

Ajo e ka theksuar kapelën e kuqe të cilën tha se e ka bartur i akuzuari. Sipas saj, kjo ishte një tjetër dëshmi që do të duhej të merrej parasysh.

“Kapela e kuqe ishte tipar dallues i të akuzuarit ku ai dallohej nga pjesa tjetër e anëtarëve të UÇK-së. Kapela e kuqe është tipar dallues për të dhe kjo është identifikuar edhe nga dëshmitarët”, tha prokurorja.

Fjalën përmbyllëse, në të cilën do të propozojnë dënimin, po e prezantojnë sot prokurorët, ndërsa të mërkurën, më 14 shtator, mbrojtja e Mustafës dhe përfaqësuesi i viktimës do ta thonë fjalën e tyre përfundimtare.

Të enjten më 15 shtator palët do të shkëmbejnë argumente shtesë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: