Hekuran Brahimaj kryetar në detyrë i bashkisë së Vorës dëshmon në gjyqin ndaj Agim Kajmakut. Brahimaj u shkarkua nga Kajmaku më 31 tetor 2019 nga posti i nënkryetarit pasi kishte 40 ditë më detyrë, ndërkohë që vetë ishte i shkarkuar, gjë e cila çoi dhe në një nga akuzat e Prokurorisë, atë të ushtrimit të funksioneve pas dhënies fund të detyrës.

Në dëshminë e Brahimaj të siguruar nga gazetarja Klodiana Lala për “BalkanWeb” ai ka deklaruar se nuk ka pasur konflikte me Kajmakun dhe se vetë ai i kishte dhënë këtë detyrë, ndërsa vendimi nuk kishte asnjë motivacion për shkarkimin.

“Me Kajmakun s’kam pasur konflikte. Raportet tona kanë qenë zyrtare. Vetë ai më emëroi zv. kryetar. Gjatë qëndrimit tim në detyrë nuk kam pasur asnjë mase disiplinore. Vendimi i largimit më është dërguar tek vendi i punës së motrës, nuk mu dha mua personalisht. Në vendin nuk kishte asnjë motivacion. Këtë vendim e ankimova në gjykatë Administrative”, ka deklaruar Brahimaj, i cili ishte dëshmitar i thirrur nga organi i akuzës.
Ish-kreu i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku akuzohet për falsifikim të formularëve dhe ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb