TIRANE

Gjatë ditës së sotme është zhvilluar seanca e radhës gjyqësore mes kreut të grupit parlamentar të PS Taulant Balla si dhe djalit të ish kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, teksa ky u fundit akuzon Ballën për shpifje.

I pranishëm në seancën gjyqësore ka qenë vetëm Shkëlzen Berisha, ndërsa mungonte  kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

Pas përfundimit të seancës, Berisha tha se Balla nuk ishte sot i pranishëm në seancë sepse jep dot shpjegime për udhëtimet jashtë Shqipërisë me trafikantin e drogës, Edmond Bego.

“E rëndësishmja në këtë seancë është fakti që vetë dokumentacioni që ka sjellë para gjykatës i akuzuari, të cilin e ka marrë gjatë komisionit parlamentar vërteton që unë kam paguar 16 mln lekë taksa dhe i akuzuari ka qenë në dijeni të kësaj pagese në momentin kur ka kryer shpifjen. Kjo është e rëndësishme sepse kjo provon që shpifja ka konsumuar veprën penale me shpifje në fjalë sepse ka qenë në dijeni të faktit që po bën një deklaratë të rreme. 

Pretendimet e palës tjetër ishin që ne nuk kemi qenë në dijeni të këtyre taksave. Kemi pasur qëndrime të tjera, por është e vështirë të kesh qëndrime të palës kur pala mungon.  I pandehuri nuk është sot në gjykatë. Kam dyshim se arsyeja që nuk është në gjykatë është se nuk ka dashur të japë përgjigje për mbi 20-30 udhëtime që ka kryer me trafikantin e drogës Edmond Bego në vendet e Evropës.  Nuk ka dashur të shpjegojë se pasi është kthyer nga këto udhëtime zoti Bego ka  fituar në kundërshtim me ligjin mbi 6 mln dollarë para nga taksat e shqiptarëve, ndërkohë që nuk duhet t lejohej të merrte pjesë në garë dhe jo më të fitonte. Pas përfundimit të procesit penal, patjetër që do të shoqërohet me një tjetër padi civile.  Vlera do të përcaktohet pasi të konsultohem me avokatin tim, ekonomistin tim dhe më pas do të dalë një vlerë e qartë”- tha Shkelzen Berisha.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb