Çdo ditë që kalon po vërteton më së miri faktin e degradimit të procesit të vettingut, ku nga njëra anë nxirren jashtë magjistratë larg sferës së kontrollit të qeverisë dhe nga ana tjetër konfirmohen ose futen në sistemin e drejtësisë njerëz me aftësi mjaft të ulëta profesionale.

Rasti i vendimeve absurde të marra nga gjykata administrative e Durrësit ndaj kompanisë “Erjoni shkp” që kishte kërkuar pezullimin e sulmeve të paligjshme të IKMT kundër “Prestige Resort” e ka një emër dhe një fytyrë.

Magjistrati Adrian Shega, është gjyqtari i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Durrës i cili nuk ka pranuar sigurimin e padisë për të ndaluar sulmin e parë të IKMT ndaj Prestige Resort në shtator të vitit që shkoi. Gjyqtari Shega ka pranuar në vendimin e tij se subjekti “Erioni shpk” është njohur me vendimin e IKMT për shembjen e pishinave dhe të pistës në det të “Prestige Resort’ në të njëjtën ditë që është bërë ndërhyrja me polici, si dhe me fadroma dhe rruspa nga IKMT, më “2 shtator 2022”.

Sipas kodit të procedurës administrative për çdo akt administrativ subjektet e prekura apo të interesuara kanë 30 ditë kohë për të kundërshtuar vendimmarrjen, fillimisht pranë institucionit që ka nxjerrë vendimin, më pas në gjykatë kur ankimimi nuk është marrë parasysh.

Por ky fakt nuk e ka shqetësuar aspak Adrian Shegën, i cili shkruan e zeza në të bardhë se vendimet e marra nga IKMT në 26 gusht të 2022 për prishjen e pishinave dhe për gjobën përkatëse i janë bërë të ditura subjektit “Erioni shpk” më 2 shtator të 2022. Ndërkohë po në këtë datë është dokumentuar publikisht se IKMT prishi pishinat dhe pistën në det të “Prestige Resort”. Ai nuk ka guxuar t’i thotë ‘stop’ IKMT për të parë provat dhe dëgjuara pretendimet e subjektit të sulmuar.

Qershia mbi tortë e vendimit të gjyqtarit Adrian Shega për kërkesën e sigurimin e padisë nga “Erioni shpk” është se ai është marrë më 6 shtator 2022, katër ditë pasi IKMT i kishte rrafshuar pishinat dhe pistën në det. Një logjikë kjo sa absurde po aq dhe qesharake që është përmendur në vendim si arsye për të mos pranuar sigurimin e padisë. Vendimi i gjyqtarit Adrian Shega për çështjen e sulmit të paligjshëm të “Prestige Resort” është rast ulëritës se si drejtësia është vënë në funksion të qeverisë nga njëra anë, dhe ka cenuar sigurinë juridike të qytetarëve të thjeshtë nga ana tjetër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb