DURRES- Gjyqtari Petraq Curri është tërhequr sot nga gjykimi i çështjes së Alket Hatijas, i cilësuar si baron i drogës nga mediat italiane shtet ku rezulton i dënuar me 20 vite burg dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj konfirmon për BalkanWeb se gjyqtari e ka justifikuar vendimin e tij me këto fjalë: “U tërhoqa pasi nuk dua të paragjykohem”,- mësohet të ketë thënë ai.

Kujtojmë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka nisur një hetim disiplinor ndaj gjyqtarit Petraq Curri pasi më 11 korrik e liroi Alket Hatinë nga masa “arrest me burg”.

LIRIMI ME 11 KORRIK

Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës e ka cilësuar si të paligjshëm dhe të pambështetur në prova arrestimin e Alket Hatias duke e liruar nga burgu më 11 korrik. Sipas vendimit të Gjykatës, Alket Hatia është dënuar me 23 vite burg për disa vepra penale për trafikim droge drejt Italisë dhe krijim të organizatave kriminale. Pas përfundimit të dënimit ai është liruar. Pala mbrojtëse pretendon se nuk i është hequr emri nga sistemi. Në përfundim të shqyrtimit të dosjes, gjykata vendosi që ta linte të lirë, pasi e ka kryer një dënim në Shqipëri për akuzat nga shteti italian, por prokuroria e ka apeluar dosjen.

ARRESTIMI ME 8 KORRIK
Në njoftimin e Policisë së Shtetit në datë 8 Korrik, deklarohej se Alket Hatia është dënuar në 30.09.2015 me 20 vite burg nga Apeli në Itali për trafik droge. ‘Gjykata e Apelit/ Itali me Vendimin Nr. 4526, datë 30.09.2015 ka caktuar masën e dënimit me 20 vjet burgim, më ngarkim të shtetasit të mësipërm, për veprën penale” Trafikimi I lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim” parashikuar në nenet art.110, art.73, 73/6 , 80/ 2 të Kodit Penal Italian dhe Dekretit Nr. DPR 309/90’ thuhet në njoftimin për mediat të policisë.

45-vjeçari akuzohet nga gjykata e Milanos në Itali se ka futur 350 kg heroinë dhe 190 kg kokainë në vitet 2002-2003 nga Shqipëria me një rrjet të super organizuar.

KUSH ËSHTË ALKET HATIJA
Sipas mediave italiane, hetimet e policisë italiane kanë vërtetuar se nga janari i vitit 2003 deri në mars të 2004, Alket Hatija kishte trafikuar në qytetin e Milanos rreth 350 kg heroinë e 190 kg kokainë me vlerë 35-40 milionë euro. Ai qëndronte i fshehur në një vilë me bunker në qytetin e Beratit ku ruhej nga disa truproja të armatosur, ndërsa u arrestua në Durrës teksa do të takonte një mik. Sipas hetuesve, ai fliste pak në telefon dhe askush nuk e thërriste kurrë në emër, ndërsa droga vinte nga Shqipëria nëpërmjet anijeve, makinave e kamionëve.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb