Gjyqtari Shkelqim Miri, i cili dyshohet për favorizim e një të dënuari për veprën penale të vrasjes me dashje dhe armëmbajtje pa leje, kundrejt kërkimit dhe marrjes së përfitimeve monetare të paligjshme, e ka justifikuar para oficerëve të policisë gjyqësore shumën e majme që iu gjet gjatë kontrollit në banesë mbrëmjen e djeshme si para të mbledhura nga kursimet, shkruan Panorama.

“Ndalimi i tij u krye në funksion të procedimit penal proaktiv të vitit 2017, për veprat penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.- njofton zyrtarisht Policia e Shtetit.

Gjatë kontrollit në banesë, me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, të kryer nga strukturat e Hetimit të Korrupsinit në Policinë e Shtetit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 174,810 euro; 10,149,000 lekë dhe 1,000 dollarë”-njofton policia.

HETIMI NDAJ GJYQTARIT
Mësohet se Prokuroria e Përgjithshme ka nisur një hetim prej gati një viti ndaj Mirit, ndërsa gjatë kontrollit atij i janë gjetur 300 mln lekë, që dyshohet të jenë marrë si ryshfet për një vendim favorizues për Gentian Dodën i akuzuar për vrasjen e dy personave në Burrel, në vitin 1997. Nga hetimi proaktiv nga Krimi Ekonomik dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka dyshime se gjyqtari ka marrë lekë për këtë ndryshim akuze, nga vrasje, në plagosje të rëndë me dashje.

Minimalisht akuza që mund të ngrihet për gjyqtarin është ajo e fshehjes së të ardhurave, parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal.

‘BalkanWeb’ mëson se Miri, ka qenë anëtar i KLD-së deri në vitin 2012-të dhe më herët gjyqtar i Apelit në Durrës (para 2010). Ndër çështjet e bujshme që ka gjykuar Miri, është edhe ajo e Gërdecit, ku ai ka qenë pjesë e një prej proceseve gjyqësore.

NGJARJA PËR TË CILËN BËHET FJALË:
Prokuroria e Matit ka kërkuar dënimin me 20 vjet burgim për Gentian Doda, i ekstraduar nga SHBA në 2012 i akuzuar për vrasjen e Gazmir Dedja dhe Asllan Gjoka, ngjarje e ndodhur në tetor të vitit 1997. Autori Gentian Doda dhe viktima Gazmir Dedja kanë qenë anëtarë të grupeve rivale në Burrel, konflikti ndërmjet të cilëve ka vijuar për shumë vite dhe me shumë viktima.

Përpasjet e ashpra ndërmjet dy grupeve rivale janë shtrirë edhe në qytete të tjera.

Në vitin 2010, në Tiranë është vrarë edhe vëllai i viktimës, Halil Dedja, i cili u gjet i vdekur në hyrje të pallatit ku banonte. Ditën e ngjarjes së vitit 1997, autori Gentian Doda dhe viktima Gazmir Dedja janë konfliktuar verbalisht dhe më pas, i pandehuri e ka qëlluar me automatik, duke e plagosur rëndë. Nga plumbat ka mbetur i vdekur aksidentalisht Asllan Gjoka. I plagosuri ka mundur të mbijetojë vetëm dy ditë për shkak të plagëve të marra, por ka arritur t’u tregojë familjarëve se kush e kishte qëlluar, duke identifikuar Gentian Dodën.

Menjëherë pas krimit, i pandehuri është larguar jashtë Shqipërisë dhe është arrestuar në vitin 2012 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet shqiptare. Pas ekstradimit, i akuzuari kërkoi rivendosjen në afat dhe rishikim të dënimit të dhënë më parë ndaj tij për këtë vepër penale.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: