TIRANE- Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Astrit Faqolli ka kaluar me sukses vettingun duke u konfirmuar në detyrë nga KPK. Trupi gjykues për rivlerësimin e tij përbëhej nga Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Genta Tafa Bungo.

Mbështetur tek raporti i ILDKPI-së, KPK pohon se Faqolli ka bërë deklarim të saktë të pasurisë, burimet janë të justifikuara dhe nuk ka deklarim të rremë apo fshehje.

Nga të dhënat e ILDKP-së, Faqolli ka në pronësi një truall me sipërfaqe 32 m2 në Librazhd, ku është ndërtuar një bodrum, lokal dhe banesë. Po ashtu subjekti ka deklaruar si burim të të ardhurave nder vite dhe një hua.

Mes të tjerash KPK sqaron se ka mospërputhje të të dhënave mes sipërfaqes së lejes së ndërtimit dhe aktit të kolaudimit.

“Në deklaratën e pasurisë së vitit 2011, subjekti ka deklaruar shumën 3 milionë lekëve për ndërtimin e objektit. Kjo shume nuk përputhet me deklaratën e vettingut. Në aktin e kolaudimit, vlera shënohej 2.7 mln, kurse në kontratën me ndërtuesit nuk përcaktohej vlere”-tha KPK. Ndërkohë, gjyqtari sqaroi se shuma e deklaruar mbulon dhe taksën e studimit, apo kontratat me OSHEE.

Faqolli e ka nisur karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si inspektor në Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku ka punuar gjatë viteve 2003-2010. Në vitin 2010, Faqolli u emërua gjyqtar në Gjykatën e Durrësit dhe prej vitit 2013 e ushtron detyrën në Gjykatën e Tiranës.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb