Vrasja e gjyqtarit të Apelit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit vuri në lëvizje institucionet përfshirë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Në një mbledhje urgjente të zhvilluar pas ngjarjes që tronditi sistemin e drejtësisë, qeveria e gjyqtarëve thotë se ka hartuar një plan masash që synon rritjen e masave të sigurisë.
Këshilli thotë se do të analizojë informacionet e detajuara dhe me masat e marra dhe kërkesat drejtuar nga secila gjykatë përgjatë 3 viteve të fundit që lidhen me menaxhimin e sigurisë.

Në këtë vazhdë do të kërkohet informacion lidhur me kushtet ekzistuese të shërbimit dhe të infrastrukturës së sigurisë në gjykata, pajisjen me skanera, detektorë, kamera sigurie, pajisje të tjera sigurie, si dhe funksionimin e tyre. Pasi të bëhet një analizë e detajuar, Këshilli I Lartë Gjyqësor do të ngrejë një grup ndërinstitucional pune që të propozojë ndryshime ligjore lidhur me garantimin e sigurisë në gjykatë për gjyqtarët. Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të marrë masa të menjëhershme lidhur me adresimin pranë pushtetit vendor dhe kërkimin e ndihmës për ndërtimin e 8 godinave të reja të gjykatave të shkallës së parë në rrethet gjyqësore, si dhe ndërtimit të godinave të reja për Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Këshilli thotë se do të bashkërendojë punën me Ministrinë e Drejtësisë, me qëllim që qeveria të kalojë në pronesi te tyre godinat ekzistuese të gjykatave dhe atyre që do të ndërtohen.

Një tjetër pikë e rëndësishme është dhe analizimi i të dhënave që lidhen me përformancën e gjyqtarëve, me qëllim që të jepen vendime Brenda një kohë të arsyeshme dhe qytetarët të mos zvarriten ndër vite për të marrë drejtësi. KLGJ thotë se do të bashkëpunojë me AKEP dhe Autoritetin e Mediave Audiovizive me qëllim marrjen e masave për ndalimin e gjuhës së papërshtatshme ndaj gjyqtarëve në rrjetet sociale, platformave online dhe media. Qeveria e gjyqësorit ka nisur procedurën salla e amfiteatrit në godinën “Poli i Drejtësisë” të marrë emrin “Astrit Kalaja”. Ndërsa do të dërgojë pranë institucioneve përkatëse propozimit që gjyqtarit të rënë në krye të detyrës t’i jepet titulli “Dëshmor i Atdheut”.

NJOFTIMI I KLGJ
Këshilli i Lartë Gjyqësor, në mbledhjen e datës 10.10.2025, në vijim të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, me qëllim adresimin e problematikave dhe nevojave të ngritura në takimin e zhvilluar nga gjyqtarët, vendosi të hartojë një plan masash që kanë të bëjnë me:

-Marrjen dhe analizimin e informacionit të detajuar, lidhur me masat e marra dhe kërkesat drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor nga secila gjykatë, nga Kryetari, Zëvendëskryetarët ose Këshillat e Gjykatës, gjatë viteve 2023, 2024, 2025, me objekt administrimin/menaxhimin e sigurisë në gjykatë;

-Marrjen e informacionit lidhur me kushtet ekzistuese të shërbimit dhe të infrastrukturës së sigurisë në gjykata, pajisjen me skanera, detektorë, kamera sigurie, pajisje të tjera sigurie, si dhe funksionimin e tyre, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, me qëllim standardizimin e procedurave dhe trajnimin e personelit për menaxhimin e situatave që lidhen me sigurinë;

-Pas analizimit të informacionit të marrë dhe identifikimit të problematikave dhe nevojave konkrete, ngritjen e një grupi ndërinstitucional pune me qëllim:

i) adresimin e ndryshimeve ligjore dhe nënligjore për marrjen e masave për garantimin e sigurisë në gjykata për gjyqtarët, personelin gjyqësor dhe çdo përdorues të gjykatës;

ii) sigurimin e pranisë së punonjësve të sigurisë të trajnuar apo pjesë e Policisë së Shtetit;

iii) miratimin e protokolleve dhe procedurave standarde të sigurisë për secilën gjykatë;

-Ngritjen e një grupi ndërinstitucional pune, me përfaqësues nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, me qëllim hartimin e masave të përbashkëta për sigurinë në sistemin gjyqësor në tërësi;

-Përafrimin e kuadrit ligjor me praktikat më të mira ndërkombëtare, lidhur me sigurinë e gjyqtarëve, stafit mbështetës, si dhe përdoruesve të gjykatës;

-Duke mbajtur në vëmendje detyrimet ligjore dhe punën e nisur nga viti 2021 e në vijim, me qëllim sigurimin e një infrastrukture të përshtatshme për kushtet e punës dhe sigurisë në gjykata, në bashkërendim me këshillat e secilës gjykatë, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të marrë masa të menjëhershme lidhur me adresimin pranë pushtetit vendor dhe kërkimin e ndihmës për ndërtimin e 8 godinave të reja të gjykatave të shkallës së parë në rrethet gjyqësore, si dhe ndërtimit të godinave të reja për Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë;

-Gjithashtu Këshilli, nxit gjykatat që të marrin masa për zbatimin e projekteve, në mënyrë që fondet e akorduara të realizohen brenda vitit buxhetor;

-Në kuadër të pavarësisë institucionale, në bashkërendim me Ministrinë e Drejtësisë, të kërkojë kalimin në pronësi të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të godinave ekzistuese të gjykatave dhe atyre që do të ndërtohen;

-Analizën e të dhënave nga raportimet periodike të gjykatave, me qëllim rritjen e performancës dhe përkushtimit profesional dhe moral të secilit magjistrat;

-Ngritjen e grupeve të punës me qëllim hartimin e propozimeve për ndryshime ligjore në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr. 98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, të përbërë nga anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, gjyqtarë nga të tre shkallët e gjyqësorit, Gjykata e Lartë, Gjykatat e Apelit dhe Gjykatat e Shkallëve të Para, si dhe staf drejtues administrativ pranë Këshillit;

-Bashkëpunimin me AKEP dhe AMA, me qëllim marrjen e masave për ndalimin e gjuhës së papërshtatshme ndaj gjyqtarëve në rrjetet sociale, platformave online dhe media, informimin e këtyre institucioneve mbi situatën aktuale, si dhe duke kërkuar prej tyre marrjen e masave konkrete brenda kompetencave ligjore;

-Nisjen e procedurës për emërtimin e sallës së amfiteatrit në godinën “Poli i Drejtësisë” me emrin “Astrit Kalaja”, si dhe dërgimin e propozimit tek institucionet përkatëse, për dhënien e titullit “Dëshmor i Atdheut” gjyqtarit të rënë në krye të detyrës.

Këshilli i Lartë Gjyqësor mbetet i përkushtuar për garantimin e një sistemi drejtësie të sigurt, të pavarur dhe funksional, në shërbim të qytetarëve dhe shtetit të së drejtës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: