Dërgohet në gjyq me akuzën e korrupsionit biznesmeni që i ofroi 500 mijë lekë ryshfet gjyqtares, raporton “Panorama”. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dorëzuar në gjykatë pak ditë më parë dosjen penale në ngarkim të biznesmenit Ervin Braho.

Sipërmarrësi akuzohet se ka kryer veprën penale “korrupsion aktiv i gjyqtarëve dhe prokurorëve e funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”. Biznesmeni është hetuar në mungesë, pasi ka rezultuar se është larguar nga Shqipëria që prej kohës kur ndodhi ngjarja. Në janar të këtij viti, biznesmeni Ervin Braho, nga Pogradeci, u shpall në kërkim, pasi gjyqtarja Selvije Gjonçaj bëri kallëzim penal ndaj tij.

Biznesmeni kishte hapur me kompaninë e tij një proces gjyqësor kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjitikës. Ai akuzohet se me qëllim që të siguronte një vendim në favor të kompanisë që drejtonte, ka tentuar t’i japë ryshfet gjyqtares, por është shpallur në kërkim dhe tashmë është vendosur nën akuzë në mungesë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Ngjarja për të cilën akuzohet biznesmeni mësohet se ka ndodhur më 24 janar 2016, kur biznesmeni me iniciativën e tij ka shkuar në zyrën e gjyqtares dhe i ka lënë në tavolinë një zarf me 500 mijë lekë të rinj. Gjyqtarja Selvije Gjonçaj kishte prej muajsh në shqyrtim padinë që kompania e Ervin Brahos kishte bërë ndaj Ministrisë së Energjitikës ku kërkonte dëmshpërblim financiar për një kontratë.

GJYQI ME MINISTRINË
Në padinë e bërë në Gjykatën Administrative, kompania e biznesmenit akuzonte ministrinë se ka penguar ndërtimin e një HEC-i mbi lumin Mat, ku përfituese ishte pikërisht firma e Ervin Brahos.

Pala paditëse ka qenë kompania “Albanian Hidropower 2013”, e cila hapi gjyq me ministrinë, pas anulimit të kontratës për ndërtimin e HEC-it në lumin Mat. Gjatë shqyrtimit të padisë, mësohet se në proces janë ndryshuar tre gjyqtarë, derisa biznesmeni tentoi të jepte ryshfet te trupa gjykuese që po shqyrtonte çështjen në janar 2016. Pas ngjarjes së ndodhur e të denoncuar nga Selvije Gjonçaj, edhe kjo e fundit ka dhënë dorëheqjen nga çështja, pasi njoftoi menjëherë Policinë sapo konstatoi zarfin e lënë në zyrën e saj. Policia shkoi në vendin e ngjarjes, por biznesmeni arriti të largohej dhe më pas u shpall në kërkim me akuzën e korrupsionit.

Gjyqtarja kishte kundërshtuar lënien e zarfit në tavolinën e saj, por biznesmeni 35¬vjeçar ka qeshur dhe është larguar shpejt. Policia, kur mbërriti në vendin e ngjarjes, sekuestroi zarfin e pahapur në tryezën e punës së gjyqtares. Si provë në dosjen e prokurorisë janë administruar edhe pamjet e sistemit të kamerave të vëzhgimit në godinën e gjykatës ku ka ndodhur ngjarja.

Në këto pamje është veçuar momenti kur 35-vjeçari hyn i vetëm në zyrën e gjyqtares dhe pas disa minutave del prej aty e largohet me shpejtësi nga godina e Gjykatës Administrative. Pas përfundimit të hetimeve, tashmë pritet që të fillojë gjykimi i çështjes te Krimet e Rënda.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: