Gjykata e Tiranës shpalli dje të pafajshëm Adem Çaushin, i cili ishte akuzuar për marrjen e 260 mijë dollarëve në mënyrë të paligjshme nga llogaria e nipit të vrarë. Sipas prokurorisë, llogaria në fjalë i takon vajzës së Eltonit, të cilën gjykata ia njohu pas vrasjes dhe për të cilën familjarët e Eltonit patën kundërshtimet e tyre. Por këto para nuk arritën të merreshin nga vajza e mitur e Eltonit, pasi gjyshi i të ndjerit e kishte tërhequr më parë llogarinë prej 260 mijë dollarësh si trashëgimtari më i afërt.

Deliu

Në lidhje me këtë ngjarje ka folur ekskluzivisht për “Gazeta Shqiptare” e veja e Elton Deliut, Ada Musaraj, e cila kërkon të drejtën për vajzën e saj të mitur. Ndërkohë, gjatë seancës së zhvilluar dje, Gjykata e Tiranës vlerësoi se marrja e shumës së parave dhe zhdukja e tyre nga Adem Çaushi nuk është pastrim i produkteve të veprës penale, por pengim i zbatimit të vendimit të gjykatës.

Ky vendim ia kishte njohur vajzës së biznesmenit shumën në llogarinë bankare. Duke qenë se pengimi i zbatimit të vendimit të gjykatës është një vepër që është amnistuar në janar të këtij viti, gjykata urdhëroi pushimin e gjykimit ndaj Adem Çaushit dhe lirimin e tij nga akuza.

E veja e Elton Deliut
E veja e të ndjerit ka reaguar në lidhje me këtë ngjarje duke thënë se kjo që po i bëhet vajzës është padrejtësi, dhe ka kërkuar vetëm çfarë i takon vajzës së saj dhe të Eltonit. Nëna e fëmijës së Eltonit thekson vazhdimisht se nuk ka asgjë me familjen e tij, pasi ajo ia vendos fajin bankës.

“Në momentin që ndodhi tragjedia, banka ka pasur një urdhër bllokimi, që nuk duhej të lejonte që lekët të tërhiqeshin. Unë kam depozituar një kallëzim kundrejt bankës në prokurori, nuk kam ngritur një padi për personin që ka marrë lekët, dhe sapo të kem mundësi do vazhdoj gjyqet me bankën”, – është shprehur Ada Musaraj.

E veja thekson se nuk ka dashur të ketë përplasje me familjen e bashkëshortit të saj, pavarësisht se ata i janë kthyer kundër.

“Nuk dua të hap plagët përsëri, pasi është shumë e rëndë për mua, por kur Eltoni ishte gjallë, të afërmit e tij më donin dhe më respektonin, edhe unë po ashtu, isha nusja më e mirë. Por me largimin e tij nga jeta m’u kthyen kundër. Gjithsesi unë nuk kam asgjë me ata; edhe padinë për tërheqjen e parave nga gjyshi i Eltonit s’e kam ngritur unë. E vetmja procedurë që kam ndjekur ka qenë kallëzimi në prokurori për bankën”, – ka reaguar e veja.

Më tej ajo ka shtuar se nuk ka pasur mundësi ta vazhdojë çështjen në gjykatë me bankën, për shkak të përqindjes që kërkohet paraprakisht për të hapur gjyq. Ndërkohë ajo është shprehur se e vetmja seancë gjyqësore që ka ndjekur ka qenë për njohjen e atësisë për të miturën Eltona Musaraj. Ajo ka arritur t’i vendosë në dispozicion gjykatës edhe një analizë ADN-je, ku provonte se Eltona Musaraj është vajza e Elton Deliut.

Shkrimin e plotë e gjeni sot në Gsh.al duke klikuar në linkun http://www.gsh.al/2017/09/26/mori-parate-e-nipit-te-vrare-flet-e-veja-e-elton-deliut-hodhen-poshte-gjakun-e-tyre-per-para-dua-vetem-ate-qe-i-takon-vajzes/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb