Gjykata e Shkallës së Parë në Berat ka dhënë vendimin për një rast të rëndë abuzimi familjar që tronditi opinionin publik: shfrytëzimin e një fëmije të mitur në rrjetin social TikTok për përfitime financiare.

Babai i fëmijës, Armando Kumaraku, u dënua me 3 vite e 6 muaj burg, ndërsa gjyshja e tij, Natasha Rombula, u dënua me 2 vite e 3 muaj burg. Gjykata ka vendosur gjithashtu heqjen e të drejtës së prindërimit për Armando Kumarakun, si një masë plotësuese ndaj dënimit penal.

Ngjarja, që u bë publike disa muaj më parë, zbuloi se babai dhe gjyshja kishin përdorur për një periudhë të gjatë nipin 10-vjeçar për video në TikTok, me qëllim përfitimin e dhuratave dhe parave nga ndjekësit.

Vendimi u dha nga gjyqtarja Lumturi Zhupa, e cila pranoi kërkesat e organit të akuzës për masat ndëshkuese ndaj të pandehurve, duke e konsideruar veprimin e tyre një shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijës dhe detyrimeve prindërore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb