“Euro 2020” erdhi me shumë risi, po thyen shumë rekorde, por në fund gjërat po shkojnë aty ku i ka hije. Në një turne të tillë ku favoritet filluan duke rënë me radhë, me të eliminuar të mëdhenj si Franca, Belgjika apo Gjermania, të gjithë tifozët filluan të mendonin se ky Evropian do të ishte një çudi e madhe, ku të parashikoje ishte thjeshtë e pamundur.

Futbolli është i bukur për këtë arsye, është i paparashikueshëm, por në fund mrekullitë ndodhin rrallë edhe në futboll. Kur sheh katër ekipet e kualifikuara për në fazën gjysmëfinale, e kupton qartë se kur gjërat bëhet serioze, në fund fiton tradita, ekipet me histori dhe pa diskutim ekipet me shumë vlerë në tregun e transferimeve, për fat të mirë nuk mungon as një surprizë  e madhe, Danimarka, një histori frymëzimi dhe një rrugëtim që do të kujtohet gjatë.

Itali-Spanjë, çifti i parë, janë dy përfaqësuese emblemë të Evropës, në fushë zbresin dy skuadra që së bashku kanë fituar 5 tituj kampion botë, dhe 4 tituj kampion Evrope, një sfidë e tillë është pa diskutim një klasike e futbollit evropian.

Nuk mungon tradita as në krahun tjetër, shpikësit e futbollit janë në garë me kohën për të kthyer më në fund në ishull një trofe të rëndësishëm. Një Kupë botë nuk është kurrë pak por anglezët shpresojnë që yjet e tyre më në fund të shndërrijnë si duhet për të triumfuar në tempullin e tyre të futbollit.

Danimarka nuk stonon shumë në raport me Anglinë në këtë pikë, fundja dhe ta dinë se si fitohet, madje e kanë më të freskët teksa në 1992 u shpallën kampion Evrope. Danezët vijnë në këtë gjysmëfinale me një histori të denjë për një film. Nga drama me Eriksen në një fund të lumtur, por askush nuk dëshiron të zgjohet, tashmë danezët besojnë se gjithçka është e mundur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb