Nga: FATMIRA NIKOLLI*

Nga 162 vepra që 20-30 vite më parë dolën nga Galeria Kombëtare e Arteve për t’u ekspozuar nëpër institucione të tjera shtetërore, 96 mungojnë. Është drejtori i GKA-së, Artan Shabani i cili e pranon shifrën në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”. Në fund të një procesi dyvjeçar që synonte kthimin e veprave të shpërndara në fondin e shtëpisë së artit pamor, Shabani bën me dije se kanë mundur të rimarrin vetëm 66, ndërsa 96 të tjera nuk gjenden. Edhe pse një kallëzim penal do të bëhet për veprat e humbura me të gjitha të dhënat për to, duket se rigjetja është e vështirë në mos e pamundur. Në më shumë se dy dekada, qeveritë e ministrat kanë ndryshuar aq herë, sa kërkimi e identifikimi i fajtorëve për humbjen e veprave, është njësoj si të kërkuarit të gjilpërës në kashtë. Procesverbalet tregojnë vetëm se kur kanë dalë nga GKA dhe kur kanë hyrë në këto institucione, por asgjë se si në korridoret e sallat e ministrive, këshillit të ministrave, ambienteve të shërbimeve qeveritare e më gjerë, i humbën gjurmët. Shabani sqaron më poshtë se ndër veprat e humbura pa gjurmë ka edhe emra artistësh me zë të vendit tonë.
– Z.Shabani, çfarë do bëhet me katin e tretë të GKA-së, do rikthehet linja muzeale?
Pas lirimit të hapësirës, do të rikompozohet në formatin që ishte me pjesë të linjës muzeale, duke vendosur të gjitha veprat që ishin hequr, art i pas 1990-ës. Ndërkaq, në muajin dhjetor, në katin e të parë do të riekspozohen veprat e fillesave të pikturës shqiptare.
– Kur keni marrë këtë detyrë, keni premtuar të mblidhni të gjitha veprat që ndër vite, sidomos para 1990-ës, kishin dalë nga GKA dhe ishin ekspozuar në institucione shtetërore. Në ç’fazë të punës jeni?
Në dy vite puna ka vazhduar për mbledhjen e pasurisë kombëtare: piktura, skulptura, e vizatime që ishin në institucione të ndryshme, duke filluar nga Presidenca, Kryeministria, Shërbimet Qeveritare, Ministria e Kulturës, Ministria e Jashtme. Tashmë, synimi ynë është finalizuar. Të gjitha veprat që gjendeshin në këto institucione janë rikthyer në fondin e GKA-së. Gjatë vitit 2016, do të ketë një ekspozitë të tyre në mënyrë që publiku shqiptar ti shohë, mbasi të jenë restauruar dhe me shumë gjasa do të ketë edhe një katalog të tyre që të mbeten në memorien institucionale.
– Sa vepra ishin shpërndarë dhe sa keni marrë? Janë rimarrë të gjitha?
Jo, jo të gjitha. Do të bëjmë një denoncim në prokurori për të gjitha veprat që rezultojnë të humbura.
– Pra ka edhe të humbura?
Po, ka. Në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare nga 37 vepra janë kthyer 15 mungojnë 22 vepra; në Presidencë janë kërkuar 14 vepra, mungojnë 2; në ish-Komitetin Qendror sot Kuvendi i Shqipërisë ishin 10 vepra, mungojnë 3; në Ministrinë e Jashtme ishin 11 vepra janë kthyer 6 dhe mungojnë 5; në Këshillin e Ministrave ishin 33, janë kthyer 22 dhe mungojnë 11; në Qendrën e Realizimit të veprave të Artit ishin 12, mungon 1; në ish-Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve mungon vepra e Mishel Ribaut “Peizazh në Provansë” dhe është bërë kallëzim penal; Bashkisë së Tiranës i ishin dhënë 3 vepra dhe nuk janë kthyer, nuk gjenden.
Në total nga 162 vepra të shpërndara, ne kemi marrë 66 dhe mungojnë 96 vepra.
– Nga këto vepra që mungojnë, për cilët autorë bëhet fjalë?
Autorët që mungojnë janë disa, unë mund të përmend disa prej tyre si: Vangjush Mio, Zef Shoshi, Kujtim Buza, Arben Morina, Zamir Mati, Mustafa Arapi, Bashkim Ahmeti, Sadik Kaceli, Petro Kokushta, Sali Shijaku, Guri Madhi, Odhise Paskali, etj, etj. Kjo listë do ti prezantohet prokurorisë, së bashku me kartelat e tyre, dimensionet, titujt, e çdo detaj tjetër i nevojshëm për drejtësinë, në mënyrë që këto të rezultojnë vepra në kërkim e ti rikthehen fondit të pasurisë kombëtare. Dua të them se nuk janë vetëm vepra të GKA-së, por janë pasurisë kombëtare.
– Praktikisht, galeria do bëjë kallëzim penal për një sërë institucionesh shtetërore?
Tani që finalizuam këtë aksion, databaza është gati dhe do bëhet kallëzim.
– Sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave, nga Shqipëria dalin disa vepra që do ekspozohen në Dyseldorf në fund të muajit. Për ç’ekspozitë bëhet fjalë?
Ekspozita “Rrugëtim shqiptar: Koleksioni i GKA-së dhe artistë bashkëkohës” është panoramë e artit shqiptar që nga fillesat e tij. Në të prezantohen artistë si Kolë Idromeno, Zef Kolombi, Simon Rrota, Foto Stamo, Vangjush Mio. Por përveç veprave që janë pjesë e fondit të GKA-së, do ketë edhe artistë bashkëkohorë si Matilda Odobashi, Eltjon Valle, etj. Ekspozita çelet në kuadër të muajit të kulturës shqiptare në Dyseldorf dhe ekspozohet në sallën e Parlamentit të Landit të Dyseldorfit. Do të jetë një kartëvizitë e Shqipërisë dhe qëndron e hapur nga data 24 Nëntor deri më 5 Dhjetor 2015.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: