Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka vlerësuar me Certifikatë për Shërbime të Dalluara, zv/shefin e Zyrës Rajonale të Sigurimit pranë Ambasadës Amerikane në Shqipëri, me rastin e përfundimit të misionit të tij.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në të cilën ishin të pranishëm zv/ambasadori i Ambasadës Amerikane në Tiranë, z. Damian Smith, përfaqësuesit e Zyrës Rajonale të Sigurisë dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm Gledis Nano i ka dorëzuar Certifikatën për Shërbime të Dalluara z. Nicholas Lavengood.

“Do ta konsideroja si një ditë të veçantë, ndërkohë edhe një privilegj, që sot zhvillojmë ceremoninë e dorëzimit të Certifikatës për Shërbime të Dalluara, për zv/shefin e Sigurisë Diplomatike, në ambasadën e SHBA-së në Tiranë, z. Nicholas Lavengood.

Z. Nicholas Lavengood ka shërbyer, nga muaji korrik i vitit 2020, si zv/shef i Zyrës Rajonale të Sigurimit pranë Ambasadës Amerikane në Shqipëri, dhe ka kontribuar me profesionalizëm për rritjen e nivelit të bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë dhe të SHBA-së, duke kontribuar në realizimin e një sërë operacionesh policore të suksesshme në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe kontrabandimit të qenieve njerëzore. Ka ofruar ekspertizën e tij dhe të agjencisë që përfaqëson, në trajtimin e çështjeve konkrete dhe në shkëmbimin e praktikave më të mira me agjencitë ligjzbatuese të SHBA-së, duke nxitur një bashkëpunim konkret dhe efikas mes palëve, bazuar në marrëdhëniet shumë të mira dhe në besimin reciprok.

Z. Lavengood ka mbështetur gjithashtu trajnimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, në kuadër të menaxhimit të programit të trajnimeve, me të cilin janë trajnuar punonjës policie, kryesisht të strukturave të luftës kundër krimit të organizuar, drogës, trafikimit të qenieve njerëzore etj.

Sot, Nicholas Lavengood përfundon misionin këtu, por kemi bindjen se edhe pas kësaj ju do të mbeteni një koleg dhe mik i yni, për të na mbështetur në punën dhe përpjekjet tona për t’u ofruar qytetarëve tanë rend, qetësi dhe siguri.”

Ndërkohë, zv/ambasadori i Ambasadës Amerikane në Tiranë, z. Damian Smith, gjatë fjalës së tij, u shpreh: “Z. Lavengood është një zyrtar shumë i rëndësishëm për ne. Si përfaqësues të qeverisë amerikane çmojmë rolin dhe kontributin e tij gjatë misionit si zv/shef i Zyrës Rajonale të Sigurimit pranë Ambasadës Amerikane në Shqipëri”, u shpreh Gledis Nano.

“Ju jam mirënjohës për këtë nder, të vlerësohesh në mënyrë të tillë është jashtëzakonisht domethënëse për mua, si dhe të vlerësohesh në mesin e pjesëmarrësve të mbledhur këtu është një nder i madh. Ndërsa punoja me njësitë e ndryshme të Policinë së Shtetit, pashë përkushtimin dhe angazhimin që burrat dhe gratë e Policisë së Shtetit kanë për vendin e tyre. Ndërsa shikoj përreth sot, shoh një numër personash që absolutisht nuk do të qëndroja këtu tani, nëse nuk do të ishte falë tyre. Drejtor Nano është një forcë progresi brenda Policisë së Shtetit, unë jam krenar për punën që kemi filluar dhe kam nderin ta konsideroj atë mikun tim”, tha Nicholas Lavengood:.

Më pas, ceremonia ka vijuar me dhurimin e pajisjeve për Drejtorinë e Antiterrorit dhe Repartin Special RENEA, pjesë e paketës prej 1.2 milionë dollarësh, e akorduar nga Shërbimi i Sigurisë Diplomatike #ATA për Policinë e Shtetit, paketë që përfshin pajisje dhe trajnime nga këto struktura.

Shefja e Zyrës Rajonale të Sigurisë pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë, Karen Riley, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm Gledis Nano, nënshkruan aktin e dhurimit të këtyre pajisjeve.

Riley ka vlerësuar progresin e Policisë së Shtetit dhe ka siguruar Drejtor Nanon se Policia shqiptare ka gjithë mbështetjen e zyrës që ajo drejton, po ashtu dhe të ambasadës, agjencive ligjzbatuese dhe qeverisë amerikane.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb