Nga FATMIRA NIKOLLI*

“Gjethet kanë kuptimin e fshehtësirës, të pyllit dhe, prandaj edhe të Bukuroshes së Fjetur të përrallave – e cila, në njëfarë mënyre, është kjo shtëpi, që duhet zgjuar, duhet zbuluar”.

Kjo frazë, e vënë në thonjëza, ndonëse nuk dihet nga është shkëputur, ka zënë vend në murin rrethues të Shtëpisë së Gjetheve, “Gjethit”, ose ndryshe të asaj godine prej së cilës u përgjuan shqiptarët gjatë komunizmit. Sërish, e thënë ndryshe, ajo ishte një ‘pjesë e kuzhinës ku regjimi gatuante’ shkatërrimin e sa e sa jetëve njerëzore, për agjitacion e propagandë, për kundërshtim të linjës së partisë, për mospërmbushje të planit a për dhjetëra akuza të tjera, që sot, shumëkujt që s’e ka njohur kohën dhe dhëmbët kërcënues të nënës së dashur e të dhembshur parti, i duken në mos absurde, më së paku, krejtësisht qesharake.

Prej kësaj shtëpie me gjethe, që njëherë shërbeu si spital, mandej si seli e Gestapos, e në fund si godina prej ku përgjoheshin shqiptarët e jepeshin urdhrat për përgjimet nëpër rrethe, merrnin udhë pra tmerret e komunizmit, plagë ende të pashëruara, për të cilat flasim gjithë pathos, sot, ne, shqiptarët e shoqërisë demokratike. Aty zinin fill pra, ato krime që sot i dënojmë njëzëri, me zë të plotë tenori, (kinse) të vetëdijshëm se sa i egër ishte regjimi, e sa famëkeqe kjo godinë, ku të drejtat e njeriut shkeleshin, bashkë me njerëzit, si të ishin veçse gjethe të thata vjeshte. E megjithatë, dikush, nuk ka ngurruar ta quajë atë “Bukuroshja e fjetur”, pra selia e përgjimeve ka marrë një emër krejt tjetër, që e largon nga funksionet e saj të deritanishme, dhe madje e ‘përkëdhel’, deri në atë pikë sa duket sikur po iu tregojmë vogëlushëve një përrallë të bukur, mbrëmanet në dimër, kur muzgu bie, e në oxhak është ndezur një zjarr bubulak. Ky krahasim jo vetëm që çalon, por e thënë në këtë kontekst, është në koma! Se si mund të jetë godina e përgjimeve një “Bukuroshe e fjetur”, nuk merret vesh, veç në mos, Spaçit e Burrelit i themi kështjella ku më në fund Borëbardha jetoi e lumtur.

Megjithatë, sot, e shtunë, datë 24 janar 2015, në këtë godinë prezantohet koncept-ideja e MUZEUT “GJETHI”, pasi ndërtesa do të kthehet në muze. Ministria e Kulturës, që ka marrë përsipër ta bëjë këtë punë, dje ka njoftuar se do bëhet fjalë për “one day show” – prezantim i projektit të Muzeut të Përgjimeve “Shtëpia e Gjetheve”, për diplomatë, përfaqësues të biznesit dhe mediave. Oborri dhe muri rrethues i Shtëpisë së Gjetheve, do të brandohen për të pasqyruar përmes stendave informative edhe elementeve të tjerë vizualë, konceptin kreativ se si mund të shndërrohet Shtëpia e Gjetheve në një Muze të Përgjimeve. Pas rënies së regjimit komunist në vitin 1991 dhe me shpërbërjen e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, ky objekt u shndërrua në selinë e Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK), e më pas të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), duke funksionuar nga pikëpamja praktike si qendër përgjimesh deri në vitin 1998 kohë kur u mbyll deri sot.

“Pasi u përdor në vitet e para të regjimit komunist si godinë e hetuesisë, ku torturoheshin e merreshin në pyetje kundërshtarët e regjimit komunist, ajo u shndërrua në një ambient të zhvillimit të veprimtarive nga Sigurimi i Shtetit prej nga realizoheshin përgjime dhe kontrolle të korrespondencës për qytetarë vendas apo të huaj në Shqipëri”, thotë ministria, e cila duket se ka vënë re që kjo godinë është krahasuar me Bukuroshen e Fjetur. Gjithsesi, një muze, është gjithherë i mirëpritur, ndaj duhen uruar ideatorët. Muzetë i shërbejnë kujtesës, sidomos asaj afatshkurtër, e, mbi të gjitha, asaj kujtese që ka gjasa të ngatërrojë kështjellat me birucat.

(ar.sh/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb