Çmontohen dy organizata kriminale të lidhura me Camorran dhe Ndragheta-n aktive në kryeqytetin italian.
Një maksi operacion i antimafias dhe i karabinierëve mes provincave të Romës dhe Napolit.

Operacioni nisi në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa morën pjesë rreth 200 karabinierë të Komandës provinciale të Romës në bashkëpunim me të Napolit, me helikopterë dhe qenë antidrogë për ekzekutimin e 19 urdhrave të arrestit për 19 persona, mes tyre një grua dhe disa shqiptarë.

Mediat italiane shkruajnë se për 16 prej tyre është dhënë masa e arrestit me burg, ndërsa për 3 arrest shtëpie.

AKUZAT E PROKURORISË ANTIMAFIA
Operacioni i karabinierëve ka marrë shtysë nga Prokuroria e Romës, me kërkesë të Drejtorisë së Antimafias. Akuzat janë për organizatë kriminale me qëllim trafikun e kokainës, në rrethana të rënduara nga përdorimi i armëve.

Dy prej të arrestuarve i është shtuar ndër të tjera edhe akuza për lëndime të rënda, të kryera me armë zjarri dhe në mënyrë mafioze.

Sipas një njoftimi të Karabinierisë, hetimi i karabinierëve të Njësisë investigative të Romës ka bërë të mundur dokumentimin e veprimtarisë së dy organizatave të njohura kriminale, të dyja të armatosura dhe të dedikuara në trafikun e drogës, në bashkëpunim të ngushtë mes tyre.

Në shënjestër dy organizata të armatosura, një me prirje mafioze (Camorra), të drejtuar nga vëllezërit Salvatore dhe Genny Esposito dhe tjetra me boss Vincenzo Polito, që bashkëpunonte me eksponentë të Ndrangheta-s në provincën e Reggio Calabria, familjet Filippone e Gallico, prezentë në kryeqytetin italian. Karabinierët janë duke vijuar me 44 kontrolle të tjera mes Romës e Napolit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb