Policia spanjolle në zonën e Barcelonë ka shkatërruar një grup shqiptar që ishte aktiv në kultivimin dhe shpërndarjen e marijuanës në qytetin bregdetar por edhe në Tarragonë dhe Girona.

Në pranga kanë përfunduar 11 persona. Hetimi filloi në fund të vitit 2021 dhe në janar të këtij viti u bë i mundur arrestimi i dy personave përgjegjës për një plantacion në një shtëpi në Castellbisbal (Vallès Oçidental) me 1264 bimë dhe 32 kilogramë kanabis të gatshëm për t’u shitur në tregun e narkotikëve.

Më vonë një tjetër shtëpi u zbulua në El Vendrell (Baix Penedès), me makineri, por pa produkt dhe ku u arrestuan dy persona të tjerë, ndërsa në maj u ndërhy në një shtëpi tjetër në Caldes de Malavella (Selva), ku u gjetën 122 bimë dhe 76 kilogramë kanabis por edhe shtatë persona, të cilët u arrestuan si përgjegjës për plantacionin.

Të njëmbëdhjetë të arrestuarit po hetohen si autorë të dyshuar të veprës penale të trafikut të drogës, veprimtarisë në grup kriminal dhe vjedhjes së energjisë elektrike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb