Autoritetet italiane kanë goditur një ndër klanet më të rrezikshme mafioze, duke i sekuestruar miliona euro pasuri kriminale.

Mediet fqinje raportojnë se është zhvilluar këtë mëngjes mega operacioni “Apogeo”, i cili ka çuar në sekuestrimin e pasurisë së klanit mafioz “Spada”, që vepronte në bregdetin roman Ostia.

Guardia di Finanza me urdhër të Prokurorisë së Romës dhe pas hetimve të kryera nga Drejtoria e Antimafias ka vënë nën sekuestro pasurinë e klanit “Spada” me vlerë 18 milionë euro e fshehur në kompani e biznese nën emra fallco apo nën identitetetin e personave e familjarëve të tretë të lidhur me anëtarët e këtij klani.

Janë sekuestruar 10 shoqëri biznesi, 2 kompani e 6 klube sportive e kulturore si dhe menaxhimi në disa bare, lojëra fati, pika karburanti, furra buke, palestra, shkolla baleti, sallone automjetesh e firma ndërtimi.

Nën sekuestro është vënë dhe palestra në Ostia ku më nëntor të 2017 bosi mafioz Roberto Spada dhunoi dhe kërcënoi një ekip gazetarësh e operatorësh të RAI.

Klanit “Spada” iu konfiskuan dhe 2 vila në komunat Ostia e Ardea të Romës si dhe 13 automjete e llogari bankare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb