Autoritetet greke kanë gjetur një mënyrë tejet të veçantë për të future në grackë rrjetin e trafikimit të kokainës në Mikonos, ku ndër të arrestuarit janë dhe dy shqiptarë.

Mediat shkruajnë, se Policia përdori si ‘karrem’ një 19-vjeçare, e cila njihet me pseudonimin “flokëkuqja”.

E reja ka luajtur në rol kyç në këtë operacion, ku u arrestua ekipi qe drejtohet nga personi i njohur si “mjeku i kokainës”.

Si ndodhi e gjithë ngjarja:

Të martën e kaluar, policia i ishte vënë në ndjekje të 19-vjeçares me flokë të kuqe, e cila, hipi në portin e Rafinës, për të shkuar në drejtim të Mikonos. Ata e ndaluan të renë dhe gjatë kontrolleve i gjetën 207 gramë kokainë. Më pas, disa efektivë nisën udhëtimin me të drejt ishullit të njohur grek, me qëllim, kapjen e personave të tjerë të rrjetit.

Sapo zbritën në Mikonos, policë së bashku me 19-vjeçarën morën një taksi, për t’u drejtuar në hotelin që qëndronte bosi i drogës. Gjatë gjithë rrugës, e reja fliste në telefon me një person, që i jepte indikacione nga burgu.

Duke ndjekur me përpikmëri udhëzimet e drejtuesit vajza u takua me dy persona. Në këtë moment ndërhyri sërish policia, e cila arrestoi dy burra. Ndërsa e reja ka treguar me detaje shumën që do të përfitonte nga ky shërbim. Ajo ka thënë se fillimisht ishte shpërblyer me 600 euro dhe do të përfitonte 400 të tjera kur të kthehej në Athinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb