Policia e Dibrës ka finalizuar operacionin e koduar “Kryqëzimi”, duke vënë në pranga një 39-vjeçar të shpallur në kërkim për “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë.

Në pranga ka rënë dibrani A. Sh (M), i cili në janar të vitit të kaluar ka tentuar të vrasë një punonjës policie, duke e goditur pesë herë me thikë në vendin e quajtur ‘Kryqëzimi i Prefekturës’, në qytetin e Peshkopisë.

Njoftimi i policisë:

Operacioni nga Njësia Speciale FAST ALBANIA, në bashkëpunim me Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe Komisariatin e Policisë Nr.4, Tiranë

Kapet në Allias dhe vihet në pranga 39 vjeçari, i kërkuar, për “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, të një punonjësi të policisë.

Në vijim të punës për kapjen e personave me rrezikshmëri shoqërore, nga Njësia Speciale FAST ALBANIA, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër dhe Komisariatin e Policisë nr.4 Tiranë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për vendodhjen e një personi të shpallur në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kryqëzimi”.

Në kuadër të operacionit, si rezultat i një pune të mirëorganizuar, në vendin e quajtur “Lagjia Allias”, Tiranë, është bërë lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim A. Sh (M)., 39 vjeç, banues në Dibër.

Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim, pasi me datë 09 janar 2020, në vendin e quajtur ‘Kryqëzimi i Prefekturës’, në qytetin e Peshkopisë, pas një konflikti të çastit ka goditur 5 herë me mjet prerës thikë shtetasin B. Z, 56 vjeç, banues në Dibër (punonjës policie i cili ndodhej jashtë kohës së shërbimit).

Ndaj shtetasit A. Sh(M), Gjykata e Rrethit Dibër, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë.
Materialet shtesë në ngarkim të 39 vjeçarit i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb