Policia italiane dhe ajo shqiptare kanë zbardhur detaje të reja nga aksioni i zhvilluar njëkohësisht në tri shtete dhe që u mbyll me arrestimin e 25 personave, mes të cilëve 18 shqiptarë.

Në konferencën e përbashkët, autoritetet italiane zbardhën detaje nga aksioni, duke thënë se banda e trafikut të klandestinëve drejtohej nga dy vëllezër, të cilët përdornin identitete të rreme.

“Hetimi zgjati mbi 1 vit e gjysmë. Njëri aksion ishte në Bari, ku u kryen 5 arreste. Tjetri në Torino, që përbëhej nga dy vëllezër, të cilët përdornin emra të fantazuar dhe nuk përputheshin me emrat realë. Duke qenë me emra fallso, ato ishin të kërkuar nga shumë forca policore. Hetimet e zhvilluara me teknika të përparuara na bënë të mundur të identifikonim emrat e tyre. Përmes dhe hetimeve të bëra nga GDF arritëm të kuptojmë dhe pagesat që bëheshin, që varionin nga 5 mijë deri në 10 mijë euro”, tha përfaqësuesi i policisë italiane.

Më tej, zyrtari i policisë italiane zbuloi skemën si trafikoheshin emigrantët kundrejt parave nga organizata kriminale, e cila kishte celulë në Turqi, Shqipëri e Itali.

“Celula e parë vepronte në Turqi dhe përdorte mjetet e ndërrimit për transportin e emigrantëve. Për të vazhduar aktivitetin e tyre, kishin aktivitet me një grup kriminal në Shqipëri dhe me dy grupe në Itali. Dy grupet kriminale që vepronin në Itali i prisnin emigrantët dhe i ndihmonin të iknin drejt vendeve të tjera.

Celula që vepronte në Itali kishte për detyrë të mbështeste personat që mbërrinin, qoftë nga toka, qoftë nga deti, për t’i çuar drejt vendeve të tjera. Këtë grup kemi arritur ta godasim me policinë e Atikës dhe Byronë Kombëtare të Hetimit”, theksoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb