TIRANË- Ka nisur sot në Gjykatën e Lartë seanca gjyqësore ndaj deputetëve të PS-së Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, të akuzuar se dhunuan kolegun e tyre demokrat, Gent Strazimiri, për shkak të detyrës.

Gjatë seancës së sotme avokati i Pjerin Ndreut ka kërkuar pushimin e çështjes.

Sipas avokatit Baftjar Rusi, pushimi i çështjes kërkohet për shkak se kallëzimi nuk është bërë nga i dëmtuari Gent Strazimiri. “Kallëzimi u bë nga grupi parlamentar i PD-së”, thotë ai.

 

Pas kësaj kërkese, trupa e gjyqtarëve ka vendosur ta rrëzojë duke e lënë proçesin të vijojë normalisht me pyetjen e dëshmitarëve. Seanca e radhës është parashikuar të zhvillohet më 12 dhjetor.

 

 

Goditja e Strazimirit
Hetimi ndaj deputetëve Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, ka filluar në bazë të kallëzimit të dorëzuar në datën 14 korrik 2014 nga deputeti Edi Paloka, në cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Sipas kallëzimit, në datën 10 korrik 2014, në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, deputetët Ndoka dhe Ndreu kanë goditur për shkak të detyrës kolegun e tyre Strazimiri.

Në kuadër të këtij procedimi, nga ana e grupit hetimor janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme proceduriale, janë marrë deklarimet nga personat e pranishëm në vendin e ngjarjes si edhe janë sekuestruar kamerat e sigurisë të ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë, ku evidentohet goditja ndaj deputetit Strazimiri.

Hetimet vërtetuan se gjatë kohës kur deputeti Gent Strazimiri ishte në ambientet e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë, pranë sallës plenare, ai është goditur me grusht nga deputeti Arben Ndoka. Pak momente më vonë, deputeti Gent Strazimiri është goditur edhe nga deputeti Pjerin Ndreu. Bazuar në veprimet hetimore, rezulton se deputeti Strazimiri është goditur për shkak të deklaratave politike që ka bërë në seancën e datës 10 korrik 2014.

Në përfundim të veprimeve hetimore, prokuroria ka vendosur që të marrë si të pandehur deputetët Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, të akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Goditjes për shkak të detyrës”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb