Ministri italian i Zhvillimit Ekonomik, Carlo Calenda ka bërë të ditur se është përgatitur një plan i posaçëm për tërheqjen në atdhe të firmave “call center”.

Synimi i tij është nënshkrimi i një protokolli marrëveshjeje me firmat e mëdha, bankat, shoqëritë e sigurimeve apo televizionet me pagesë, për t’i angazhuar që veprimtaritë e “call center” t’i zhvillojnë tërësisht brenda vendit. Ose të paktën të garantojnë që 80% e aktiviteteve t’i kryejnë në Itali.

“Një lëvizje “alla Trump” për të thënë: Italy first, Itali mbi gjithçka”. Kështu nis artikulli i gazetës Repubblica, sipas së cilës ka nga ata që e kanë mirëpritur dhe nga ata që e kanë konsideruar lëvizje elektorale. “Protokolli nuk është i detyrueshëm, i drejtohet vetëm atyre kompanive që duan të ndjekin këtë nismë”, bën të ditur Paolo Sarzana, president i Assocontact, Shoqata Kombëtare e Contact Center (Confindustria digitale).

Propozimi është mirëpritur nga disa sindikata, ndërsa të tjera e kanë kritikuar faktin që sidoqoftë për ndërmarrjet ky protokoll nuk do të përbënte asnjë detyrim për bizneset. Ato kërkojnë rishikim të plotë të ligjit dhe kontratave të punës.

Ashtu si edhe normativat e reja dhe gjobat e parashikuara për “call center” nga ligji për buxhetin, i aprovuar në dhjetor të vitit të kaluar për ndërmarrjet që kanë delokalizuar nga Italia, edhe protokolli i propozuar nga ministri synon të hapë 20 mijë vende pune dhe të frenojë ikjen e vazhdueshme drejt vendeve fqinje.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: