Golin e parë në Serinë A, Lautaro Martinez e shënon me një goditje “alla Ikardi”. Si qendërsulmues race. Momenti më i lumtur i mbrëmjes së tij si titullar në “San Siro” vjen vetëm pas pak minutash (vetëm 12’) në fushë kundër Kaljarit. Argjentinasi kërceu në zonë pas krosimit të Dalbert, duke mposhtur Andreolin e Klavanin dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë.

Spaleti e kishte thënë në konferencën e së dielës: “Lautaro mund të shndërrohet në një pikë referimi për sulmin e Interit”. Numri 10 e dëshmoi kur tifozët zikaltër ripanë sulmuesin që i mrekulloi në fazën përgatitore: vetëm duartrokitje për Lautaron, e jo vetëm për golin e shënuar.

PËRGJIGJE — “E them gjithmonë se përpara vjen grupi, por jam vërtet i lumtur për këtë gol. Ia dedikoj familjes sime, gjithë tifozëve që erdhën në stadium dhe personave që kanë mundësuar ardhjen time në këtë klub. Po përjetoj një ëndërr”, – u shpreh Lautaro për “DAZN” në intervistën pas 45’ të para. Një përgjigje indirekte u dha edhe gojëve të liga, që përmes rrjeteve sociale kishin nisur ta cilësonin një dështim si Gabigol. Mjaftoi një ndeshje si titullar në “Meazza” për të lënë të kuptohet se rasti është tërësisht ndryshe.

“Jam shumë i lumtur, ishte goli im i parë në këtë stadium. Dhe jam i gëzuar dyfish që morëm fitoren. Pozicioni im? Kam luajtur si sulmues i parë për një kohë të gjatë te Rejsing, por jam në gatishmëri të plotë të trajnerit, i përket atij të vendosë rolet në bazë të skemave. A pata mundësi të flas me Ikardin? Po, më tha të qëndroj i qetë, të mendoj vetëm për fushën. Jemi miq: dëgjohemi çdo ditë, më jep shumë këshilla. Ndihem gati për Ligën e Kampionëve, u detyrova të mungoj në ndeshjen e parë, por pres një shans me PSV-në”, përfundoi Lautaro./Panoramasport.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: