Tirana di të ringrihet pas çdo humbje. Edhe pse me vuajtje, bardheblutë fituan 0-1 në Kamëz ndaj Kastriotit, në një ndeshje plot tension dhe episode, ku goli i vetëm erdhi në minutën e 10-të shtesë.

Në minutën e 13-të, edhe me ndihmën e VAR, kryeqytetasit fituan një penallti teksa nga pika e bardhë Florent Hasani gaboi. Sulmuesi u hipnotizua nga portieri Sali që kuptoi krahun dhe shpëtoi skuadrën e tij nga goli.

Në të 80-n pati tension në fushë, me Çelën që i vendosi duart në fyt Hasanin me sherrin që përfshiu të dy kampet. Në fund, Çela dhe Aleksi dolën me të kuq.

U dhanë 9 minuta shtesë dhe në sekondat e fundit, kur ishte minuta e 10-të shtesë, Nikqi gjuan saktë me kokë dhe i jep tri pikë me shumë vlerë ekipit të Tiranës, që mban kreun me 3 pikë para Partizanit.

Ndërsa Egnatia dhe Vllaznia u ndalën në një barazim pa gola në Rrogozhinë. Të dyja skuadrat e nisën lojën me një ritëm të ulët, duke mos prodhuar shumë raste në pjesën e parë. Në të dytën ndryshoi diçka në lojën e ekipeve, por sërish pa gjetur golin.

Gjithashtu pati dhe disa momente proteste nga ana e shkodranëve, të cilët kërkonin një karton të kuq për Duamenën, me këtë të fundit që shkaktoi një ndërhyrje të gabuar në minutën e 64’.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb