NGA RUDINA HOXHA*

Sam Hall, ose siç njihet më shumë “Goldierocks”, ishte përsëri në Shqipëri këtë fundjavë. Vjet ajo ngriti në këmbë qytetin e Vlorës me muzikën e saj. Këtë vit, përsëri e ftuar nga “British Council”, performoi në qytetin e Skraparit. DJ më e njohur femër në Britaninë e Madhe e më gjerë, 31-vjeçarja, Goldierocks, drejton që nga 2009 emisionin muzikor radiofonik “The Selector” në 44 vende të botës, përfshirë Shqipërinë. Ajo ndihet shumë mirë midis shqiptarëve dhe adhuron atmosferën mikpritëse të vendit tonë. “Shqipëria është kaq mikpritëse dhe miqësore. Ajo të ofron gatime fenomenale. Në këtë periudhë të vitit është e qetë dhe moti ende i ngrohtë”, thotë Goldierocks në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”. Ndërkohë, ajo po shkruan edhe një libër me udhëtimet e saj, ku padyshim Shqipëria zë një vend të veçantë.

Goldierocks, kjo është hera juaj e katërt në Shqipëri?
Po, tashmë mund të konsiderohem një vendëse (qesh).
Çfarë ju bën ta vizitoni Shqipërinë vazhdimisht?
Në fakt, unë vij këtu me ftesë të “British Council Albania” në kuadër të Javës së Muzikës Britanike. Gjithashtu, edhe emisioni im muzikor radiofonik, “The Selector”, i cili transmetohet në 44 vende të botës, po shkon shumë mirë këtu në Shqipëri prej disa kohësh tashmë. Kështu, jam e lumtur që ky emision është popullor dhe ndiqet mjaft në Shqipëri. Përveç kësaj, Shqipëria është kaq mikpritëse dhe miqësore. Ajo të ofron gatime fenomenale. Në këtë periudhë të vitit, është e qetë dhe moti ende i ngrohtë.

A ju tërhoqi axhenda e aktivitetit kësaj here dhe pse?
Kësaj here, unë performova në Skrapar. Ishte një “party” i organizuar gjatë orëve të ditës. Ishte pak më tepër qetësuese. Jo çmenduri, por argëtim dhe muzikë e pëlqyeshme. Isha këtu për t’i bërë shqiptarët të dëgjonin vërtet një muzikë të mirë. Ishte ajo lloj muzike që të bën të lumtur dhe të krijon një gjendje të mirë shpirtërore. Disa nga hitet që performova ishin muzikë diskoje të DJ-ve të njohur britanikë, Julio Bashmore apo të artistit tepër të njohur, Jungle. Muzika e tij është pak më e qetë.

Si ndihesh kur performon në Shqipëri?
Ngaqë kam qenë edhe më parë këtu, ndihem e qetë, si në shtëpinë time. Kur takon dikë një herë, dy herë, tri herë, mendoj ‘oh kjo është miku/mikja ime nga Shqipëria”! Por në fakt, kulturalisht, Shqipëria të ofron qetësi, ngrohtësi, mikpritje. E kam vënë re këtë në të gjitha llojet e ‘party’ që kemi organizuar. Psh. vjet në brigjet e Vlorës apo në Tiranë, apo tani në Skrapar. Të gjithë duan t’ia kalojnë mirë dhe ata janë shumë të ëmbël. Kjo më bën të lumtur.

A po eksperimentoni ndonjë trend të ri muzikor?
Për momentin jam stacionuar tek ‘disco music’, ‘deep house’. Jam pak më shumë për një muzikë më të maturuar dhe më ‘cooler’. Është më harmonike. Më ndryshe nga muzika e fortë dhe e egër “techno”, që është më shumë për adoleshentët. Kam kaluar mjaft kohë jashtë shtetit këtë vit. Kam qenë në Egjipt dhe Kubë, ku mora me vete tinguj dhe ndikime muzikore.

A ka diçka të bukur për t’u shënuar në jetën tuaj profesionale dhe atë private?
O Zot, kam rënë në dashuri… përsëri (qesh). Është tepër emocionuese. Të dyja familjet tona u mblodhën së bashku dhe kaluam momente shumë të bukura. Ndërsa në jetën time profesionale, mund të them se po zhvillohem edhe më shumë. Po shkruaj një libër për udhëtimet e mia rreth botës si një femër e re në moshë dhe si një DJ, po drejtoj një “Tedx Show” dhe po shkruaj për “DJ Magazine”. Kam udhëtuar në 50 vende të botës deri më tani. Është një periudhë e bukur, ndjej se po ngrihem lart. Është një kapitull i ri. Po e shijoj.

A kanë ndikuar ngjarjet e fundit nëpër Europë e botë te krijimtaria juaj?
Është një moment që na tregon se duhet ta vlerësojmë dhe të jemi mirënjohës për çka kemi. Mendoj sa me fat jam që jetoj në një vend të qëndrueshëm dhe jam mirënjohëse për këtë. Çka ndodh sot më bën të kujdesem më shumë për miqtë, të dashurit e mi, të festoj dhe të çmoj kohën që kalon. Në mënyrë krijuese, po përpiqem t’i mishëroj këto ndjenja në shkrimet e mia, në emisionet e radios më tepër sesa në muzikë. Dua të ndikoj sidomos te të rinjtë, të cilët mendojnë se ajo që po ndodh në pjesë të ndryshme të botës nuk ka të bëjë me ta aspak. Dua t’i bëj ata të mendojnë.

A bëni bamirësi?
Merrem shumë me bamirësi. Në 2013 shkova në Za’taari, që është një kamp i madh refugjatësh në Jordani dhe realizova një dokumentar për radio atje. Doja të tregoja se si është jeta e një refugjati që rritet në një kamp të tillë. Ishte e tmerrshme! Ne duhet t’i ndihmojmë këta njerëz. Nuk duhet t’i lëmë të vdesim. Gjithashtu, unë punoj vazhdimisht me OXFAM. Merrem me shumë aktivitete nga të cilat mblidhen fonde. Kësaj here “Tedx Shou” do t’u kushtohet refugjatëve. S’e di, jam gjithë sy e veshë për këtë gjë. Mund të çoj fonde në ndihmë të kampit të refugjatëve në Calais, Francë ku shumë njerëz çojnë ndihma dhe ushqime.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: